E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallet e Kosovës

Diplomacia amerikane u premtoi krerëve institucionalë të Kosovës mbështetje të plotë edhe nga administrata "Obama", ndërsa Prishtinës iu kërkua të kryejë detyrat e veta dhe mbështetja nuk do të mungojë. Por, cilat janë këto detyra? Elemente të demokracisë dhe ushtrimi i sovranitetit kanë shënuar pamjaftueshmëri në vetvete, pasojat e të cilave mund të kenë refleksione mjaft të dëmshme në të ardhmen. Kosova vazhdon të përballet me sfida, si në konsolidimin e shtetit dhe në ngritjen e institucioneve, ashtu edhe me funksionimin e plotë të tyre dhe ndarjen e pushteteve. Ditë më parë, europarlamentarët ishin më të drejtpërdrejtë. Ata kërkuan rritjen e dozës së seriozitetit me demokracinë në dhomën ligjvënëse, duke parë se ekzekutivi shpesh del më i fuqishëm se Parlamenti dhe llogaridhënia ngec në trajektoren nga lart-poshtë. Kuvendi republikan tregohet shumë pak debatues; dokumenti themeltar parashikon ndarjen e pushteteve, por edhe sot e kësaj dite kjo nuk respektohet. Dhe si pasojë, kemi deputetë ministra dhe ministra deputetë. Kuvendi madje, që prej gati dy vitesh nuk arrin të zgjedhë një avokat populli; ndërmarrjet publike dhe disa agjenci të tjera qeveritare me muaj vazhdojnë të mbeten pa borde drejtuese.

Edhe pushteti i tretë, ai gjyqësor, vazhdon të mbetet mbase më joefikasi në rajon. Vetë drejtues të këtij sistemi kanë pranuar publikisht se, edhe sikur gjykatat të mos pranonin asnjë lëndë të re, gjykatësit, me ritmin që po ndjekin, kanë punë të mjaftueshme për pesë vitet e ardhshme. Gjykatave nuk u është ndjerë aspak zëri në luftimin e korrupsionit dhe, duke parë këtë qetësi, duket sikur kjo dukuri nuk ekziston në shoqërinë e Kosovës. Por, institucionet e Kosovës kanë detyra shtëpie shumë më specifike nga të gjitha vendet e tjera: politika e jashtme dhe ajo e brendshme janë nyje gordiane, që duket se shumëkush parapëlqen t‘i kalojë në heshtje, të shtyrë ende nga njëfarë inercie dhe vetëkënaqësie. Sovraniteti, si problemi më jetik në rrethanat aktuale (bashkë me njohjet), paraqet sfidën më të vështirë. Mungesa e kontrollit në veri të vendit e dëmton rëndë ekonominë dhe që prej dhjetë vitesh po konsolidon një situatë ekstra-territoriale.

Por, vetëkënaqësia në deklarata krijon dita-ditës precedentë të rrezikshëm, që më vonë mund të hapin çështje të mbyllura, atë të ndarjes përfundimtare. Në këtë situatë, mendimet janë dyzuar në faktin se çdo veprim më energjik për vënien e rregullit atje do të provokonte paqëndrueshmëri. Ky është mendimi i ekzekutivit, i cili asgjë nuk dallon në perceptimin e gjërave nga koha kur ishin institucione të përkohshme vetëqeverisëse lokale dhe, tani që janë organe drejtuese shtetërore të një shteti sovran, të njohur ndërkombëtarisht dhe të garantuar nga forca të sigurisë së NATO-s. Ndrojtja e ekzekutivit ndodh në një kohë kur ajo duhet të jetë gjithnjë e më energjike në marrjen e përgjegjësive që i takojnë, e jo të vazhdohet me retorikë vetëkënaqësie. Zgjerimi i kompetencave nuk shkon deri në sovranitet të plotë, siç e kanë vendet e botës, por ajo kufizohet nga mekanizmat mbikëqyrës ndërkombëtare. Edhe pse kjo prani e huaj favorizon konsolidimin e shpejtë të institucioneve, në përputhje me standardet evropiane, çdo hezitim për t‘i marrë përgjegjësitë i bën institucionet më pak funksionalë.

Prej dhjetë vitesh, veriu i Kosovës mbetet jashtë kontrollit. Duket se askush nuk kërkon një rrugë qoftë edhe të ndërmjetme aktive (as Prishtina e as ndërkombëtarët). Tërheqja në pritje e Prishtinës forcon premisat e ndarjes përfundimtare të veriut, por edhe tingëllon trimëruese tek anarkistët se, me decentralizimin e ardhshëm që duhet të fillojë tani në pranverë, do të shtohen mundësitë e federalizimit të pjesës tjetër të Kosovës. Dhe, fatkeqësisht, gjendja e tanishme punon në konsolidimin e kësaj pritjeje. Mëdyshja sa vjen e bëhet më e qartë: të pritet edhe më tej, duke lënë që në terren të trashet puna, apo të kërkohet qeverisje në të gjithë vendin dhe mbi të gjithë qytetarët? Kritikët do të prisnin këtë me reagim të menjëhershëm për të thënë se, çdo përpjekje dhe ndërhyrje e tanishme në raporte të tilla gjeostrategjike, do të provokonte dëme të reja të interesave kombëtare të Kosovës.

Ekzekutivi ka një mendim të fiksuar, sipas të cilit, së pari duhet përfituar njohje sa më të shumta të shtetit dhe më pas sovraniteti në disa pjesë do të konsiderohet çështje e kryer, sepse rrethanat e tanishme fërkohen ndërmjet njohjes dhe pritjes. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mirë do të dilte heshtja për të mos krijuar përshtypjen e një dore të fortë, që respekton pakicat, duke ftuar për njohje edhe të lëkundurit. Por, ky vlerësim tashmë duket i tejkaluar në kohë. Angazhimi i zbehtë i deritanishëm për njohje nuk pritet që së shpejti të ndryshojë gjendjen. Lejimi, para një muaji, i hapjes së një poste të shtetit serb vetëm 6 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës (ku vepron edhe gjykata serbe) ishte gafa e fundit, që nuk duhet lejuar më. Prishtina duhet të dëshmojë se kërkon ta vërë ligjin dhe t‘i japë fund anarkisë dhe pranisë së mekanizmave shtetërore të një shteti të huaj. Institucionet duhet ta qartësojnë me palën ndërkombëtare, me EULEX-in, se a janë instaluar këta të fundit për t‘i dhënë fund anarkisë dhe kontrabandës në veri, apo thjesht për të ruajtur ‘status quo‘-në e deritanishme e për të jetësuar 6-pikëshin e famshëm të OKB-së që, praktikisht godet karakterin unitar të shtetit dhe zyrtarizon ndarjen e vendit? Qeveria ua ka borxh qytetarëve këtë përgjigje: ku e shpie Kosovën fakti që pjesa shqiptare e vendit qeveriset nga Prishtina, ndërsa vendbanimet serbe të Kosovës qeverisen nga struktura paralele serbe dhe nga EULEX-i?

Është momenti të pranohen problemet e identifikuara dhe për to të kërkohen zgjidhje. Pra, është momenti i fundit i pranimit të problemeve konkrete për të aplikuar më pas strategji të studiuara mirë, diplomaci "agresive", implementim të metodave induktive të shtrirjes së sovranitetit të plotë, e jo të zmbrapsjes dhe pritjes së padobishme, e aq më keq, të deklarimit të pafuqisë së ushtrimit të pushtetit shtetëror. Çdo zgjatje e euforisë dhe puhisë së pas-pavarësisë, do ta trashte problemet në terren dhe do t‘i bënte ato shpërthyese, ose të pamundshme për t‘i zgjidhur; do ta bënte Kosovën terren të stërzgjatjeve të mbikëqyrjeve ndërkombëtare, jofunksionale dhe vonesa të tepruara në integrimin evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›