Afganistan dita e katert e protestave per djegien e Kuranit
Protestuesit afgane kanë dalë për të katërtën ditë radhazi në rrugët e Kabulit duke demonstruar pas ngjarjes së djegies së Kuranit nga trupat amerikane. Protestuesit janë drejtuar për në qender të qytetit, ndërsa protesta po zhvillohen dhe në veri të Afganistanit. Të enjten të paktën 8 persona humbën jetën, përfshirë dy ushtarë amerikanë, si pasojë e dhunës në veri lindje të vendit. Presidenti amerikan Barak Obama kërkoi falje popullit afgan, duke e cilësuar ngjarjen një gabim të thellë. Me anë të një letre drejtuar presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, Obama shprehu keqardhjen e thellë për ngjarjen dhe u tha se incidenti ishte një gabim i paqëllimshëm. Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si fjalën e drejtpërdrejtë të Perëndisë. Mirëpo duket se keqardhjet e autoriteteve më të larta amerikane për ngjarjen e ndodhur nuk kanë mundur aspak të shuajnë zemërimin e afganëve. Ndërkohe talibanët i kanë bërë thirrje popullit të mos kufizohen vetëm me protesta, por edhe të sulmojnë personelin e bazave ushtarake, për t'u dhënë atyre, një mësim të mirë që të mos guxojnë më të fyejnë librin e shenjtë.