Gjermanet kundershtojne paketen e Greqise

Disa anëtarë të parlamentit gjerman e kanë bërë të qartë se ata presin që Greqia të përmbushë kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera para se të votojnë mbi një plan të dytë të ndihmës për Greqinë. Ata thonë se nuk do të ketë një paketë të dytë ndihme, e cila pritet të votohet në parlamentin gjerman javën e ardhshme. Sipas tyre ajo do te akordohet vetëm atëherë kur Greqia të plotësojë kushtet e lidhura me të. Anëtarë të lartë të partisë CDU të kancelares Merkel, shprehen se nuk do të ketë një program të dytë grek nëse kushtet e ndërkombëtarëve nuk do të plotësohen nga ana e Greqisë. Nga ana e saj kancelarja gjermane ka shprehur opinionin e saj se faliminetimi i Greqisë do të kishte efekte katastrofike përsa i takon rreziqeve shumë të mëdha për sistemin financiar dhe si pasojë edhe atë ekonomik europian. Sipas Merkel, Europa duhet të jetë gjithnjë e më e bashkuar dhe synon që vendet e BE të aplikojnë përpjekjet e tyre ndaj një bashkimi monetar më të fortë kundër rreziqeve si ato greke. Ndërkohë që, pas miratimit në parlamentin grek të një dite më parë të ligjit që favorizon marrëveshjen e shkëmbimit të borxhit të investitorëve privatë, Greqia ka bërë hapin e parë për të siguruar marrjen e ndihmës prej 130 miliardë euro. Sipas kësaj marrëveshje, investitorët kanë pranuar humbjen midis 73 deri në 74% të investimit të tyre 200 miliardë euro në bonot greke. Kjo do synojë të ulë me 100 miliardë euro borxhin që vlerësohet sa 160% e PBB. Qeveria greke thotë se shkëmbimi i borxhit duhet të përfundojë në 12 mars për ti dhënë kohë pagimit të borxhit që maturohet në 20 mars. Gjithsesi ministrat e financave të Gjermanisë dhe Holandës vijojnë të mbeten skeptikë se paketa e ndihmës nuk mund të zgjidh problemet e Greqisë, krye financieri gjerman ka ritheksuar se Athina duhet të zbatojë reformat e strukturës së ekonomisë. Pothuajse i të njëjtit mendim është edhe kreu i BQE, Mario Dragi, i cili tha se reagimi i tregjeve tregon se pak investitorë besojnë se Athina do marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Nga një sondazh i fundit i publikuar nga një e përditshme greke tregoi se 76% e grekëve mendojnë se Gjermania ka qëndrim negativ ndaj tyre. Ndërsa 73% kanë opinion negativ për kancelaren Merkel.