Afganistan, mbërrin në Kabul Paneta

Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Paneta ka mbërritur sot në Kabul, për të rikonfirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Afganistanin në një kohë që Shtetet e Bashkuara po fillojnë tërheqjen e trupave ushtarake duke dorëzuar kështu sigurinë në duart e forcave afgane.
Gjatë vizitës së tij Paneta do të zhvillojë bisedime me presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai, dhe me ministrin e mbrojtjes, Abdul Rahim Vardak.
Gjithashtu ai do të takohet edhe me komandantët e forcës ndërkombëtare, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo është vizita e dytë e Panetës që nga koha që u emërua në postin e sekretarit të mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur tërheqjen e 10 mijë trupave deri në fund të këtij viti nga 100 mijë ushtarë të pranishëm , ndërsa 23 mijë të tjerë do të largohen deri në fund të muajit shtator të vitit të ardhshëm.