E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, mbi 300 persona drejtë Suedisë për azil

Dekorim me rastin e liberalizmit të vizave

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e shpresës për përmirësim të situatës ekonomike në Shqipëri po ndikon që mjaft banorë nga zona e nënshkodrës të shfrytëzojnë regjimin e liberalizimit të vizave për të kërkuar strehim në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht drejt Suedisë. Ky problem është bërë aq shqetësues gjatë ditëve të fundit ku sipas burimeve nga agjencitë e udhëtimeve në qytetin e Shkodrës, vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë prerë mbi 300 bileta avioni që kanë si destinacion shtetin e Suedisë.

Sipas informacioneve më të fundit banorët nga zona e nënshkodrës marrin me vete disa dokumenta të noterizuara që janë certifikata familjare dhe vërtetime nga komunat përkatëse, ku shpjegohet se personat nuk trajtohen me ndihmë ekonomike, nuk janë të punësuar si dhe nuk ushtojnë aktivitet privat. Lëvizja e tyre bëhet me pasaportat biometrike të cilat nuk i kanë përdorur më parë dhe ku nuk kanë lëvizur asnjëherë drejt vendeve të zonës Shengen, pra nuk kane asnjë vulë. Besohet se shumica e tyre aplikojnë për  azil ekonomik në Suedi. Sipas informacioneve nga banorë të këtyre zonave, i gjithë ky fluks ka ndodhur pasi është përhapur lajmi se deri me datën 10 Maj do të pranohet aplikimi për azil ekonomik në Suedi. Por sipas informacioneve zyrtare të ministrisë së jashtme suedeze bëhet e ditur se azili politik dhe ekonomik për shtetasit shqiptar është i pamundur në tokën suedeze vetëm në rastet kur shqiptareve u kërcënohet seriozisht jeta në vendin e tyre, kur ky fakt aprovohet nga ministria e brendshme shqiptare. Në të kundërt shqiptarët do të qëndrojnë për disa muaj në Suedi dhe më pas do të kthehen përsëri në vendin e tyre duke ju refuzuar azili politik dhe ekonomik.

Pushteti vendor i pajis me vërtetime, ndërsa mjaft prej të larguarve zgjedhin të udhëtojnë drejt Suedisë nga Mali i Zi, ku kalojnë jo me pasaportë biometrike por me kartë identiteti. Largimet janë familjare. /Anila Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›