Afganistan, sulmohet kontingjenti shqiptar, vritet Kapiten Feti Vogli, në gjendje kome N/Tetar Aleksandër Peci

++ Kontingjenti shqiptar “EAGLE4”, sulmohet nga efektiva të policisë lokale në Kandahar
++ Ministria e Mbrojtjes: Aleksandër Peci ndodhet në gjendje kome, ka ende shpresë përmirësimi
++ Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjes së Kapiten Feti Voglit. "Ra në krye të detyrës, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s"
Komandot shqiptarë në Afganistan janë bërë sot objekt i një sulmi më armë nga efektiva të policisë lokale afgane. Sipas njoftimit paraprak të ardhur në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RSH, sipas raportit të dhënë nga Komandanti i Kontingjentit “EAGLE-4” N/Kolonel Behar Mara, të trupave tona me mision në Afganistan, bën me dije se, sot ora 15:05 lokale, në fshatin Robot 2, Kandahar, Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri Vogli, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës, “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policisë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4”. Komandanti i Grupit të 1-rë Special Kapiten Feti Bedri Vogli dhe N/Tetar Aleksandër Jak Peci (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda. Komandat Vogli ka ndërruar jetë në spital, ndërsa N/Tetar Peci, ndodhet në gjendje kome. Grupi në detyrë, ka bërë arrestimin e 11-të policëve afganë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tona. Kjo është hera e parë që dy komando shqiptarë humbin jetën në misionet paqeruajtëse në Afganistan.
Ministria e Mbrojtjes: Aleksandër Peci ndodhet në gjendje kome, ka ende shpresë përmirësimi
Në orën 17:15 minuta, Komandanti i Kontingjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara njoftoi Qendrën e Bashkuara Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura se N/Tetar Aleksandër Peçi, kishte ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Komandës ISAF, Rol 3 në Kandahar. I njëjti konfirmim ka mbërritur në orën 17.55 minuta nga ana e Komandës Ushtarake të NATO-s, në Shape, Belgjikë. Në orën 18.15 minuta, ne njoftuam median për lajmin e hidhur pasi kishim njoftuar familjarët, ndërsa në 18.30 minuta kjo u konfirmua në konferencën tonë për shtyp. Sipas një njoftimi të dytë nga Komandanti i Kontigjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara, konfirmohet se N/Tetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi. Këtë lajm të mirë ia kemi përcjellë edhe familjes së tij. Ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjen së tij shëndetësore. Lutjet tona bashkohen me ato të familjet së N/Tetar Aleksandër Peçi, që ai të tejkalojë këtë moment të vështirë. Për çdo informacion të ri ne do t’iu mbajmë të informuar.
Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjes së Kapiten Feti Voglit
"Ra në krye të detyrës, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s"
Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij. Kryeministri Berisha, gjithashtu, ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u informua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë, si dhe reagimin e menjëhershëm e të vendosur të njësisë luftarake të përbashkët shqiptaro-amerikane ndaj sulmit të pabesë. Kryeministri Berisha i telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Kryeministri u shprehu ngushëllimet të gjithë ushtarakëve tanë në Kandahar, si dhe mbështetjen e plotë të tij, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, në këto çaste shumë të dhimbshme për familjen Vogli, për shokët e armëve të Kapiten Voglit dhe shqiptarët në tërësi. Kolonel Mara e falenderoi Kryeministrin për telefonatën dhe e siguroi atë se trupat shqiptare në Kandahar, ndonëse përjetojnë me dhimbje të madhe rënien në krye të detyrës të vëllait të tyre, Kapiten Voglit, qëndrojnë më të vendosur se kurrë që krah për krah me ushtarakët amerikanë të përmbushin çdo detyrë që do t’u ngarkohet, në interes të paqes e stabilitetit. Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së Kapiten Voglit. Gjeneral Allen e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e falenderoi Gjeneral Allen për telefonatën dhe ngushëllimet dhe e siguroi atë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kanë besim të madh se trupat e ISAF, nën komandën e Gjeneralit Allen, do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision. Kryeministri Berisha i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike.
“EAGLE 4” u nis në Afganistan në 16 janar
Dy komandot shqiptare që humbën jetën sot në afërsi të Kadaharit ishin pjesë e misionit “EAGLE 4” që u nisën nga Tirana drejt Afganistanit në 16 janar të këtij viti. “EAGLE 4” ishte kontigjenti i 10-të paqeruajtës, të cilit iu bashkuan edhe 5 efektivë të Policisë së Shtetit, të gjithë pjesë e kontigjentit OMLT 2, të ekipit trajnues të policisë afgane. Kontingjenti “EAGLE 4” përbëhej nga 45 efektive të Batalionit të Forcave Speciale. Ky kontingjent zëvendësoi kontingjentin “EAGLE 4”, i cili ndodhej me mision luftimi në terren, në vijën e parë të frontit të luftës në Kandahar, Afganistan. Kontingjenti “EAGLE 4” u atashua pranë Komandës së Forcave Speciale Amerikane dhe drejtohej nga Nënkolonel Behar Mara. Ky kontigjent eshtë në përbërje të komandës së forcave italiane në Herat dhe drejtohet nga Nënkolonel Arben Kingji.
...