Berisha: Banorët e bllokuar nga bora, nga 800 mijë që ishin në fillim të muajit, sot janë vetëm 18 mijë – Edi Rama riktheu bijtë e bllokut në krye të PS

UPDATE- Në 21 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, kryeministri Sali Berisha tha se ende edhe sot kulti i regjimit ruhet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Berishës, Rama riktheu bijtë e bllokut në krye të PS-së. Sikundër u shpreh kreu i qeverisë, 20 shkurti duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë. “Në 20 shkurt 1991, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt bllokut për shembjen e diktaturës, PD ia doli të përmbajë zemërimin e tyre në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore. Por sot pas 21 vjetësh lagjja është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, kurse atje janë mbledhur përsëri bijtë e bllokut. Po historia duhet parë drejt e në sy, kjo nuk ndodhi pas vitit 92, e vërteta kjo është ndonëse ne bijtë përgjegjës për etërit nuk i mbajmë, kjo nuk ndodhi as dhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në kreu të PS përbën vepër të Edvin Ramës, kjo është e vërteta. Ai i mblodhi ku ishin dhe ku s’ishin, madje i solli dhe nga emigracioni duke u premtuar majën që humbën etërit”- u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit akuzoi opozitën dhe kreun e saj si përgjegjës për bllokimin me dy vite të procesit të integrimit të vendit në BE, duke i bërë apel të çlirohet nga mentaliteti dhe nga e shkuara. “Dy vite me radhë përdorën pushtetin për të bllokuar procesin e integrimit. Pas dy vitesh që qeveria bëri gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën por natyrisht duke qëndruar në ligjet dhe kushtetutën e vendit, pas dy vitesh bllokim pranoi ato që i ishin ofruar dy vite me radhë duke fërkuar duart se kishte penguar statusin por shqiptarët i dhanë përgjigjen e merituar në 8 maj”- tha Berisha. Ai shtoi se mazhoranca ështe e gatshme për të bashkëpunuar në përmbushjen e reformave të rëndësishme për vendin duke i lënë edhe hapësirat e nevojshme por ato do të jenë brenda kuadrit ligjor. “Ne jemi të gatshëm për reforma dhe opozita i ka të gjitha hapësirat por jo jashtë kuadrit logjor të këtij vendi, asgjë jashtë shtetit ligjor dhe funksionit të tij.Uroj gjithashtu që udhëheqja aktuale e opozitës të çlirohet në interesin e saj më të mirë por edhe të vendit nga psikologjia e etërve e cila nuk ka asnjë të ardhme”- tha ai.
Gjithashtu kreu i qeverisë ka informuar qytetarët në lidhje me situatën aktuale në të gjitha qarqet e emergjencës si pasojë e dëborës.
“Gjithnjë dua të falenderoj qytetarët e këtyre qarqeve, qeveritë vendore, ju zotërinj deputetë, strukturat e intitucioneve qëndrore në këto qarqe dhe në qendër për angazhimin e tyre efiçent dhe total në përballimin e një situate të paprecendë. Ky ka qënë operacioni i emergjencës më masiv në historinë e vendit i shtrirë nga Alpet e veriut gjer në vargmalet e juglindjes së vendit. Dua të theksoj këtu se në një kohë rekord janë realizuar lëvizje dhe heqje e milionave metërkub dëborë në rrugët e këtyre qarqeve. Nga 800 mijë që ishin në javën e parë të shkurtit janë ende 15 mijë banorë të izoluar nga dëbora”- deklaroi kryeministri.
Sipas Berishës, deputetët të opozitës nuk kanë shkuar aty ku ishte emergjenca, ndërkohë që qeveria kreu fluturime për të shpërndarë pakot me ushqime dhe ndihma mjekësore. “Të bësh ciu-ciu 5 herë në ditë është kollaj, por është gjë krejt tjetër të prekësh me dorë ata njerëz që me shumë vullnet treguan përkushtim të madh dhe përballuan borën. Sepse banorët e izoluar asnjëherë nuk gjenden të papërgatitur. Asnjë deputet i PS nuk shkoi në zonat e bllokuara. Kurse ne kemi kryer mbi 35 fluturime në zonat e bllokuara”- deklaroi më tej, Berisha.