E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 20 shkurti, çeli dyert e lirisë për shqiptarët

20-02-2012 / Gazeta 55

FRPD, koncert festiv në Pallatin e Kongreseve, “21 vjet liri” I pranishëm kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit, ministra dhe deputetë, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu


Në kujtim të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Forumi Rinor i Partisë Demokratike organizoi sot në Pallatin e Kongreseve koncertin festiv “21 vjet liri”, me pjesëmarrjen e mjaft dëshmitarëve të kohës, nismëtarëve të lëvizjes studentore dhe qindra e mijëra të rinjve. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha u shpreh se 20 shkurti mbetet në memorien e shqiptarëve, si dita e parë e lirisë. Sipas Berishës, guximi i burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave 21 vjet më parë, me rrëzimin e shtatores së diktatorit, shënoi një kthesë të fuqishme për të ardhmen e vendit. “20 shkurti, është një ditë e bekuar, dita që çeli për shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë. Çdo njeri në jetën e tij ka data të rëndësishme, por pas ditëlindjes për ata që lindin jo të lirë, dita e parë e lirisë, është dita më e rëndësishme, është ditëlindja e lirisë së tyre. Ndaj dhe ne le të shprehim nderimin dhe mirënjohjen më të thellë, para atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që 21 më parë, u përballën në rrugë dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër të Evropës. U ngritën me forcën dhe vullnetin e tyre mbi mitralozat, tanket, snajperët, zhvilluan betejën më të madhe për lirinë, që Tirana ka njohur në të gjithë historinë e saj. Përmbysën shtatoren e diktatorit që 10 vite pas vdekjes së diktatorit, qëndronte si demon mbi liritë tona. 20 shkurti ishte ditëlindja e lirive të shqiptarëve, të ardhmes së shqiptarëve. Të ardhme ndërtojnë vetëm kombet e liria. Ju keni krahasuar këtu diktatorin me faraonin. Krahasimi është shumë i goditur sepse aq sa kanë blloqe piramidat e Egjiptit, diktatori vendosi bunkerë mbi supet e kombit, për t’i shtypur ata më shumë se çdo regjim tjetër. Një nderim të madh, një urim të zjarrtë kam për të gjithë ata që lindën në këtë ditë, 21 vjet më parë. Ju lindët të bekuar, fatlumë që kurrë nuk përjetuat atë ditë, sepse sot ju jeni 21 herë më të lirë se ç’ishim ne ditën që përmbysëm bustin e diktatorit. 20 shkurti i 1991 ishte një ditë e madhe, djem dhe vajza, burra dhe gra ecnin të vendosur në sheshin “Skënderbej”, për të përmbysur shtatoren e diktatorit, për të përmbysur bustet e gjalla që mban në qendër të qytetit bustin e tij. Ajo ditë faktoi edhe njëherë se arma e të gjitha armëve, forca e të gjitha forcave është liria dhe pasioni i saj. Ndaj dhe ata burra dhe gra, nuk përfillën asnjë rrezik, asnjë kërcënim, por u vërsulën mbi shtatoren dhe e fshinë atë nga faqja e dheut, së bashku me të edhe bllokun që mbante tiranin e bllokut edhe pas vdekjes së tij”- u shpreh Berisha.   Kryeministri Berisha tha se histori të tilla, s’do përsëriten kurrë për kombin tonë. Sipas kryeministrit, shqiptarët janë kombi që kanë vuajtur më shumë për lirinë, ndaj si e tillë, liria do konsolidohet gjithnjë e më shumë. “Kombi që vuajti më shumë se çdo komb tjetër për lirinë, duhet të bëjë gjithçka për mbrojtjen dhe konsolidimin e saj. Vlerat e lirisë të konsolidohen gjithnjë e më shumë, respekti për njëri-tjetrin, respekti për lirinë e tjetrit”- deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë mbylli fjalën e tij, duke ftuar të rinjtë dhe të rejat, të mbajnë të gjallë pasionin për lirinë, si forcën dhe energjinë kryesore për vendin. Për Berishën, rruga e vetme për Shqipërinë, është ajo e integrimit në familjen e madhe Evropiane. “Sot, ne kemi një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri që është anëtare e NATO-s. Sot, ne kemi një Shqipëri aspirante për t’iu bashkangjitur vendeve të zhvilluara të perëndimit. Së bashku do shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë për Shqipërinë Evropianë, Shqipërinë e integruar në Bashkimin Evropian”- tha më tej ai. I pranishëm nw koncertin festiv tw organizuar nga Forumi Rinor i Partisw Demokratike morën pjesw kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit, ministra dhe deputetë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ambasadorja britanike, Fiona Mcllëham, të rinj e të reja si dhe simpatizantë të kësaj partie.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›