Afganistan, vriten 5 punonjës që punonin për kandidaten në zgjedhje
Zyrtarë afganë thanë se kanë gjetur trupat e 5 punonjësve të rrëmbyer, të cilët punonin për një kandidate të zgjedhjeve parlamentare. Një zyrtar lokal afgan tha se fshatarët i kanë zbuluar trupat e pesë personave të rrëmbyer, të cilët po zhvillonin fushatë për një kandidat parlamentar në provincën perëndimore Herat. Raportohet se viktimat ishin rrëmbyer nga një grup i armatosur në 25 gusht. Askush nuk e ka pohuar përgjegjësinë për vrasjen, megjithëse kryengritësit talebanë i kanë shpeshtuar sulmet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 18 shtatorit. Punonjësit bënin pjesë në stafin e fushatës së Favzja Galanit, një prej pak kandidateve femra për në zgjedhjet parlamentare të 18 shtatorit në Afganistan. Siguria është një shqetësim i madh para zgjedhjeve parlamentare. Zyrtarët afganë të zgjedhjeve kanë thënë se mbi 900 qendra votimi nuk do të hapen sepse siguria e votuesve nuk mund të garantohet. Në Afganistanin lindor, NATO tha se forca afgane dhe ato të koalicionit ndërkombëtar vranë një komandant taleban dhe 7 kryengritës të tjerë.