E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistani, një luftë ende e pafituar

Data 11 shtator e vitit 2001, për shumë prej nesh konsiderohet si shkaku i fillimit të luftës afgane, e cila, e sfumuar nga lufta e përgjakshme e Irakut, gati ishte harruar. Por sot po bëhet gjithnjë e më problematike, për shkak të stanjacionit ku ka hyrë dhe për mungesë të ideve për rrugëzgjidhje të afërt.

‘Casus belli‘ i kësaj lufte ishte kapja ose eliminimi i ideatorit të atentateve të 11 shtatorit, Bin Ladenit, ndëshkimi i Afganistanit si shpagim për refuzimin që ta dorëzonte dhe kthimin e vendit në bazë për stërvitjen e terroristëve. Ishin këto arsye që lufta të mirëkuptohej nga opinioni publik amerikan dhe ai perëndimor. Edhe vetë Presidenti aktual, Obama, gjatë fushatës së tij elektorale, e trajtoi me kujdes temën e luftës afgane, pa qenë drastik në përkufizimin e saj si gabim i administratës së kaluar.

Por tanimë, si për shkak të humbjeve në jetë njerëzore, ashtu dhe për kostot financiare, ka ardhur momenti të mendohet seriozisht një fund i saj dhe tërheqja e trupave të Aleancës. Aq më tepër e ngutshme bëhet kjo, pasi nëse lufta e Irakut është thjesht amerikane dhe e aleatëve të saj të ngushtë anglofonë, në Afganistan luhet edhe nderi i armëve të NATO-s, anëtarët e së cilës nuk shquhen për durim dhe bindje kur u vijnë arkivolet në shtëpi. Ndaj, kjo është një luftë që as nuk duhet të zgjasë e as nuk duhet humbur. Por kjo është edhe një luftë, ku strategët e Pentagonit nuk po munden të gjejnë fillin e Arianës, që do t‘i çojë drejt zgjidhjes përfundimtare.

Në arritjen e këtij objektivi, Shtetet e Bashkuara kanë mobilizuar asetet e tyre më të mira të mendimit dhe veprimit ushtarak. Në të përfshihen gjenerali David Petraeus, ideatori dhe realizuesi i paqëtimit irakian; ashtu edhe gjenerali Stanley McChrystal, i cili ka aktualisht komandën e trupave në Afganistan dhe në biografinë e tij ka të shënuar kapjen e Sadam Huseinit apo vrasjen e Al Zarqawit. Por rebusi afgan ka disa të panjohura ndryshe nga ai irakian, ç‘ka e komplikon zgjidhjen.

Në rastin e Irakut kemi një komb, i cili si shkak që po mban gueriljen ende të ndezur, ka rivalitetin shiit-suni, që shfryn shpesh në goditjet ndaj trupave të aleatëve. Sunitët, mjaft të privilegjuar në kohën e Sadamit, nuk u pëlqeu humbja e pozitave dominuese dhe indirekt u ndien të kërcënuar nga humbja e pozicionit, duke reaguar me guerilje dhe aleancë me luftëtarët arabë, kontingjent i Al-Kaedës. Kësaj ngatërrese, trupat amerikane i dhanë rrugëzgjidhje duke u afruar mbrojtje të dy komuniteteve në terren; reprezalje ndaj luftëtarëve të huaj dhe strehuesve të tyre dhe duke i përfaqësuar në mënyrë të drejtë në qeverinë e Al Malikit. Fakt është që atentatet janë rralluar ndjeshëm dhe vendi ka një drejtim dukshëm drejt paqëtimit duke bërë që, nga 961 të vrarë nga forcat e koalicionit gjatë vitit 2007 (vit kur filloi aplikimi i planit të Petraeus), të arrijë në 123 të vrarë gjatë vitit 2009.

Ndërsa në Afganistan, vetëm në vitin 2009, koalicioni ka pësuar 329 të vrarë, që është gati 1/4 e humbjeve prej 1374 të pësuar në 9 vjet luftë. Përbërja e këtij vendi, që ka një miriadë etnish e ku kryesorët janë pashtunët me 50% të popullsisë, e pastaj vijnë taxhikët, hazaratë, uzbekët, ajmakët, turkmenët, balokët; si dhe grupe linguistike që është vështirë dhe duan kohë të gjejnë një gjuhë të përbashkët qoftë edhe në kuptimin e thjeshtë të fjalës, e vështirëson punën e "Koalicionit të Lirisë". Gjithashtu, në këtë vend është shumë e fortë ndjenja e besimit në islam, dhe, edhe nëse do arrihet paqëtimi i rivaliteteve midis etnive kryesore, do duhet mund për t‘u shuar talebanëve zjarrin e luftës nën flamurin e islamit, kundër të pabesëve. Aq i fortë është ndikimi i fesë në mentalitetin afgan, saqë nëse do analizojmë këtë vend sipas mentalitetit perëndimor, ku kombi është ideja bazë që përcakton sjelljen në politikën e jashtme të një shteti, do arrinim në përfundimin e gabuar se Afganistani është armiku i Pakistanit, pasi duhet të ketë pretendime territoriale ndaj këtij vendi me shumicë pashtune, etnia bazë e Afganistanit.

Gjithashtu, Afganistani duhet të ishte miku i Indisë, armiku i Pakistanit. Por në realitet, e ndjera më shumë popull i islamit sesa afganas është edhe faktori që do ta vështirësojë qetësimin e vendit edhe në të ardhmen. Zhvillimi i luftës kundër sovjetikëve nën flamurin e islamit, ishte ndoshta tharmi që ngjizi një përbërës shumë të fortë në konstituimin shpirtëror të një popullsie, që më përpara nuk ishte shquar për zell islam. Ndërsa Perëndimi, dëshirën e tij për të fituar me çdo kusht dhe mjet ndaj sovjetëve, qoftë edhe me zgjimin e përbindëshit të fondamentalizmit islam, po e paguan tani dhe për shumë ditë që do vijnë.

Pavarësisht periudhës së errët të Sadamit, Iraku ka një rrjet të kënaqshëm infrastrukture urbane dhe interurbane; inteligjencë akademike të formuar edhe në universitete perëndimore; dhe mbi të gjitha, ka një pasuri ekonomike shumë të çmuar në ditët tona si nafta, e cila shërben tani dhe në të ardhmen si burim për financimin e zhvillimit të vendit. Ndërsa në Afganistan, prej kohësh ka humbur kultura e zhvillimit të një jete ekonomike normale dhe burimi kryesor i të ardhurave janë nga opiumi. E industria tjetër fitimprurëse e vendit është banditizmi, ku udhëheqësit e etnive përfaqësojnë me një person të vetëm edhe baronin e drogës, edhe kryetarin e bandës, edhe politikanin.

Ndërsa kurdët e Irakut, e së fundmi, edhe sunitët e shitët po përdorin resurset e vendit dhe ndihmat perëndimore për rimëkëmbjen e vendit, në Afganistan ndihma perëndimore shikohet si plaçkë për t‘u vjedhur nga i pari që ka mundësi. Aq fort po rrënjoset ky ves në mentalitetin afgan, saqë shpesh realizimi i projekteve materializohet vetëm me 10% të shumës fillestare të dhënë nga donatorët e huaj. Abuzimi me pushtetin fillon që nga Presidenti Karzai e deri te 132 mijë policët dhe 82 mijë ushtarakët, që përbëjnë forcën afganase varfërisht të armatosur, të cilët janë më të interesuar të plaçkitin, se të vriten në një luftë me fund të pasigurt në fitore, sipas konceptit të tyre.

Doktrina e fundit e gjeneralit Petraeus, e cila do zbatohet në terren, përfshin kombinimin e politikës së kulaçit dhe kërbaçit. Krahas goditjes së elementëve ekstremistë do punohet për paqëtimin e popullsive lokale dhe fitimin e besimit të tyre. Kjo politikë do kërkojë kosto të larta financiare, pasi trupat që veprojnë në terren janë kryesisht forca speciale, trajnimi dhe mbajtja e të cilave kushton më shumë se ushtari i zakonshëm i këmbësorisë. Aktualisht, gjenerali McChrystall ka 68 mijë ushtarë amerikanë nën komandë, nga të cilët 4000 si instruktorë pranë trupave afgane dhe 40 000 trupa të NATO-s, por të cilët për shkak të kushteve restriktive që i kanë vënë qeveritë dërguese, e ka të vështirë t‘i përdorë në luftime. Duke pasur parasysh se strategjia e Petraeus planifikon shtesë kontingjenti derisa të arrijnë në 100 mijë ushtarë amerikanë dhe mendohet që kostot do kenë rritje të ndjeshme.

Por lufta më e madhe duhet të jetë ajo për të fituar zemrat e afganëve, dhe kjo arrihet nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, arsim e shëndetësi. Aktualisht, koalicioni shpenzon çdo vit, për luftën afgane (kosto të hapura, të fshehura e me prapaveprim), më shumë se 26 miliardë dollarë që është GDP-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Afganistanit. Sikur një pjesë e tyre të kanalizohen për qëllime civile, rezultatet do jenë më të ndjeshme sesa aksionet luftarake.

Rusët, në fund të luftës kishin 159 mijë ushtarë në terrenin afgan, dhe vranë 1.5 milionë prej tyre, e megjithatë nuk mundën ta fitonin luftën, sepse nuk ditën të fitonin zemrat e afganëve. Le të shpresojmë se Petraeus në teori, dhe McChrystal në terren, do dinë ta fitojnë. Është kjo në nderin e tyre dhe të NATO-s, si dhe do shërbejë që djemtë nën armë, përfshirë edhe shqiptarët tanë, të kthehen sa më shpejt në vatrat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›