E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas votimit të qeverisë, Berisha-Meta në SHBA

Kryeministri Sali Beridha dhe numri dy i qeverisë, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, do të nisin misionin diplomatik duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi është konsoliduar bashkëpunimi PD-LSI në qeveri, Kryeministri Sali Berisha pritet të zhvillojë vizitën e parë zyrtare me ministrin e ri të Jashtëm, Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë destinacioni i parë i dyshes Berisha-Meta, të cilët do të shoqërohen në këtë udhëtim pune edhe nga bashkëshortet e tyre. Kryeministri Berisha dhe zëvëndësi i tij, njëkohësisht edhe kreu i diplomacisë do të jenë në SHBA në datën 21 shtator. Pasi të kenë marrë besimin e Kuvendit dhe të Presidentit, qeveria e re "Berisha" do të nisë menjëherë punën e saj. Menjëherë brenda një jave nga betimi si ministër, Ilir Meta nis misionin si shef i diplomacisë. Organizata e Kombeve të Bashkuara do të fillojë punimet e sesionit vjetor në 20 shtator dhe delegacioni shqiptar do të përfaqësohet nga dy figurat më të larta të qeverisë. Në ditën ndërkombëtare të Paqes, Berisha dhe Meta do të kenë mundësinë më të mirë për t‘u takuar edhe me Presidentin e SHBA-së, Barak Obama, i cili do të jetë i pranishëm në këtë ceremoni.

Ky do të ishte takimi i parë zyrtarë mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Obama që pas shtrëngimit të duarve pak muaj më parë në Bukuresht ku vendi ynë u bë anëtar me të drejtat e plota i NATO-s. Ndërsa një takim i tillë shikohet me shumë interes si një ogur i mirë edhe nga kreu i qeverisë në fillim të mandatit të tij të dytë dhe objektit tjetër kryesor të Shqipërisë pas anëtarësimit në strukturat euroatlantike, atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Vizita e fundit drejt SHBA-së për kreun e qeverisë shqiptare ishte në shkurt të 2009-s, ku mori pjesë edhe në mëngjesin e 57-të kombëtar të Lutjeve. Ndryshe nga më parë, këtë herë, kreu i qeverisë shqiptare do të ketë në krahun e tij jo më Lulzim Bashën, por ministrin e ri, Ilir Metën, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i LSI-së, një forcë të majtë politike. Kjo pritet të përdoret si një ogur pozitiv nga Kryeministri Berisha për t‘u treguar ndërkombëtarëve se qeveria e tij e re pas zgjedhjeve të 28 qershorit mban në përbërjen e saj edhe parti të majta, siç është LSI. Në shtator të 2007-s, Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i tij i Jashtëm, Lulzim Basha lobuan për çështjen e Kosovës në sesionin e 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kryeministri zhvilloi takime me udhëheqës të fuqishëm të vendeve myslimane, duke hedhur edhe akuza ndaj Serbisë se kjo e fundit ishte përgjegjëse për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë dhe se Serbia nuk ka asnjë të drejtë të qeverisë Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›