E Diel, 1 Nëntor 2026

Afrika Lindore, miliona njerëz drejt urisë së skajshme

Alarmin e jep agjencia ndërkombëtare e ndihmave “Oxfam”, e cila bën apel për 9.5 milion dollarë ndihma. Agjencia thekson se situata po përkeqësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe nga konfliktet e armatosura.

Vendet më të prekura nga kjo situatë janë Kenia, Etiopia, Somalia dhe Uganda.
     
Mungesa e ushqimit në disa zona është përtej nivelit të emergjencës dhe qindra mijëra bagëti po ngordhin.
     
"Kjo është kriza më e rëndë humanitare që ‘Oxfam’ ka konstatuar në Afrikën Lindore gjatë 10 viteve të fundit", deklaroi Paul Smith Lomas, drejtori i “Oxfam” për Afrikën lindore.
     
Ai deklaroi se mungesa e shirave po bëhet më shumë e zakonshme në rajon dhe se ndryshimi i klimës po e përkeqëson më tepër situatën. Periudhat e thatësirës, nga një në dhjetë vjet, tashmë ndodhin çdo dy ose tre vjet.
     
"Në disa zona njerëzit po mbijetojnë me dy litra ujë në ditë. Kushtet janë përkeqësuar së tepërmi dhe njerëzit në mënyrë të dëshpëruar kanë nevojë për ndihmën tonë që të mbijetojnë", shtoi ai.
     
Rreth 3.8 milionë njerëz në Kenia, një e dhjeta e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë urgjente, pjesërisht për shkak se çmimi i ushqimeve është rritur me 180 për qind, thuhet më tej në deklaratën e “Oxfam”.
     
Në Somali një në gjashtë fëmijë është i paushqyer ndërkohë që konflikti i armatosur i privon njerëzit për të mbjellë drithëra dhe thatësira po prek edhe zonat ku civilët kanë imigruar për shkak të luftës. Nga këto është prekur gjysma e popullsisë.

Në Etiopi, 13.7 milion njerëz janë në prag të urisë së skajshme dhe kanë nevojë për ndihmë. Shumë prej tyre po shesin bagëtinë për të blerë ushqim. Fermerët në veri të Ugandës kanë humbur gjysmën e të mbjellave.
     
Shtete të tjera të prekura nga kriza janë Sudani, Xhibuti dhe Tanzania. Shirat priten muajin e ardhshëm, por pritet që të ndihmojnë pak ose të shkaktojnë përmbytje, që do ta rëndonin më tej situatën.
     
“Oxfam” deklaroi se Afrika Lindore mund të goditet nga përmbytjet, që mund të shkatërrjnë të mbjellat dhe shtëpitë dhe njëkohësisht do të kontribuonte në përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme nëpërmjet ujit.
     
"Përgjigja për krizën duhet të jetë e shpejtë, por mungojnë fondet", thuhet në deklaratën e “Oxfam”, ku shpjegohet se Programit Botëror të OKB-së për Ushqimin, i mungojnë 977 milionë dollarë për punën që duhet të bëjë në gjashtë muajt e ardhshëm në Bririn e Afrikës.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›