Afrika Qendrore njeh Kosovën e pavarur
(E plotësuar) Republika e Afrikës Qendrore është bërë shteti i 77-të që e njeh pavarësinë e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar në një konferencë shtypi në qeveri, zv/kryeministri i parë, dhe i ngarkuari me njohjet, Behgjet Pacolli.
Pacolli është i ngarkuar i Qeverisë me çështjen e lobimit dhe prej se ka marrë këtë detyrë aktivitetin e tij lobues e ka përqendruar kryesisht në Afrikë. Megjithëkëtë, prej se ka marr mandatin e dytë, Qeveria ka sjellë vetëm edhe një njohje pos kësaj të Republikës së Afrikës Qendrore – atë të Principatës së Andorrës.
Republika e Afrikës Qendrore ndodhet në qendër të kontinentit afrikan, në Afrikën ekuatoriale. Ajo popullohet nga rreth 4 milionë banorë dhe ka për kryeqytet Banguin. Republika ndahet në 14 provinca, 2 prefektura dhe një distrikt.
Ky shtet në veri kufizohet nga Çadi, më tutje kufizohet me Sudanin, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Kongos dhe me Kamerunin.