E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova-Shqipëria, marrëveshje për transport

Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 17:30

Kosova dhe Shqipëria arrijnë marrëveshje për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Sipas ministrave Mujota dhe Olldashi, kjo marrëveshje pritet të eliminojë të gjitha pengesat në transportin rrugor ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja, sipas procedurave, pritet të zbatohet brenda 30 ditësh.

Pas marrëveshjes për trafikun ajror, Kosova arrin marrëveshje me Shqipërinë edhe për transportin tokësor të udhëtarëve dhe mallrave.

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota, tha pas nënshkrimit se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, dhe do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Edhe Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve të Shqipërisë, Sokol Olldashi, theksoi rëndësinë e marrëveshjes për krijimin e kushteve më të përshtatshme për të gjithë operatorët e transportit tokësor, dhe njohjen e ndërsjellë të të gjitha lejeve dhe licencave.

Me këtë marrëveshje parashihet krijimi i një komisioni teknik, të përbërë nga ekspertët e të dy ministrive, i cili do të kujdeset për të gjitha aspektet teknike. Marrëveshja, sipas procedurave, ligjore pritet të zbatohet brenda 30 ditësh.

Sipas Ministrit Mujota, marrëveshje të tilla pritet të arrihen me disa vende të rajonit dhe Evropës.

Kryeministri Thaçi priti Olldashin

Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur në takim ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë, Sokol Olldashin, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e të dyja vendeve në fushën e transporteve dhe telekomunikacionit.

Kosova dhe Shqipëria po zhvillojnë bashkëpunim i cili do të duhej të jetë shembull i bashkëpunimit të mirë edhe për rajonin, dhe kjo reflekton edhe për paqen, stabilitetin dhe perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të rajonit, është konstatuar në takimin që kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar me ministrin shqiptar Sokol Olldashi, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Kryeministrit.

"Avancimi i bashkëpunimit në fushën e transporteve dhe telekomunikimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, do të krijojë parakushte të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në mes të dy vendeve si dhe plotësimin e parakushteve për integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike", theksohet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›