Afrika ime
Behgjet Pacolli shkon në Afrikë për herë të katërt i bindur se do të sigurojë njohje për Kosovën. Do të takojë edhe presidentin e Afrikës së Jugut.
Në një intervistë për Express, ai tha se riformatimi i Qeverisë bëhet së shpejti. Pret një ministri të re për KKR’në. Pacolli nuk ka vendosur ende nëse do të kandidojë për president të Kosovës, por beson se zgjedhjet nuk do të shtyhen.
Express: Z. Pacolli, si e vlerësoni vizitën e Presidentit të Hondurasit në Kosovë e Shqipëri? Është parë se Kosova nuk e priti atë me gardë siç pritet një President shteti?
Pacolli: Së pari falënderoj institucionet e Kosovës dhe çdokënd këtu që ka punuar që kjo vizitë të kalojë në mënyrë dinjitoze. Edhe pse me pengesa, kjo vizitë ka shkuar mirë dhe shpresoj se Presidenti të jetë ndarë i kënaqur. Kuptohet që ka mundur të pritet më mirë, por mirë që u krye.
Express: Është parë se në Shqipëri Presidentit të Hondurasit i është bërë një pritje më e organizuar se në Kosovë?
Pacolli: Po, është e vërtetë dhe për këtë unë i falënderoj përfaqësuesit e institucioneve më të larta të Shqipërisë duke filluar nga Presidenti i shtetit, Bamir Topi. Ju e dini se Shqipëria vjen nga një traditë e madhe dhe protokolli shtetëror i saj është i jashtëzakonshëm. Por përveç kësaj, më lejoni që t’ju përmend detaje të vogla. Shqipëria kishte në rrugët kryesore të kryeqytetit flamuj të mëdhenj të Hondurasit, duke i dhënë karakter shtetëror vizitës. Unë isha në krah të Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli në pritjen që ata i rezervuan Presidentit të Hondurasit. Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli nga kati i tretë, ku e ka zyrën, ka zbritur poshtë dhe e ka pritur dhe njëjtë po ashtu e ka përcjellë mysafirin tonë. Po ashtu, Kryeministri Sali Berisha, i cili dha drekë për mysafirin e nderuar, ishte aq i përgatitur për takimin me Presidentin e Hondurasit saqë në takim dëshmoi se kishte lexuar shumë gjëra për historinë, kulturën dhe ekonominë e Hondurasit. Kryeministri Berisha i tregonte Presidentit të Hondurasit historinë e Hondurasit në detaje, madje duke dalë edhe në fushën e artit, resurseve natyrore që ky shtet ka dhe gjithçka tjetër. Mund t’ju them se shihej fare qartë kënaqësia që kishte Presidenti i Hondurasit kur dëgjonte historinë e vendit të tij nga nikoqiri i takimit. Shqipëria nuk ka marrëdhënie të ndonjë natyre me Hondurasin, por e priti mysafirin e nivelit të lartë, vetëm për kontributin e tij në njohjen e Kosovës nga vendi i vet dhe më gjerë. Presidenti i Hondurasit edhe në Shqipëri rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe angazhimin për të lobuar për Kosovën. Mos të harroj të përmendi faktin se ai na ka ndihmuar shumë për njohjet nga Caricomi.
Express: Sipas deklaratave tuaja ditëve të kaluara, Kosova tani do të duhej të ishte e njohur nga Gaboni dhe ndonjë shtet tjetër nga Afrika. Pse nuk erdhën ende këto njohje?
Pacolli: Dua ta potencoj këtu se njohjet nuk janë një gjë e cila varet nga vullneti im ose prej dëshirës së kosovarëve. Njohjet janë një proces jashtëzakonisht i vështirë. Çdo vendim i çdo shteti për ta njohur Kosovën sigurisht nuk kalon pa ndonjë hallakamë brenda atij shteti. Për arsye se prishet një qetësi, e cila është tani tek ai shtet; për arsye se dikush sigurisht do të intervenojë, do të thotë se do t’i prishim marrëdhëniet me Serbinë, për shembull. Këtu, e dini se nuk është vetëm dikush i vogël, por kjo shkon deri te Rusia. Kërcënimet pra ekzistojnë. Lobi serb është shumë i madh në shtetet afrikane dhe duhet gjithmonë të gjinden rrugë që prishja e kësaj qetësie të jetë me efekte sa më të vogla negative për atë shtet që na njeh. Prandaj, njohjet që kanë ardhur janë pasuar me kërcënime nga Beogradi për ato shtete që na kanë njohur. Këto shtete do ta kenë vështirë tani të jenë prezentë në Beograd në aktivitetin për 50-vjetorin e organizatës së vendeve të painkuadruara dhe unë nuk di si do të veprojë nikoqiri. Prandaj, besoni dhe unë jam shumë konfident se shtetet që kanë premtuar se do ta njohin Kosovën, janë në proces e sipër. Ka shkuar nota verbale prej Presidentit në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u kompletuar. Por ju duhet të kini parasysh se vetë Ministri i MPJ të Serbisë, për shembull, ka bërë një kundërlobim shumë të madh, por ka qenë fati se ai atë kundërlobim nuk ka mundur ta bëjë në nivel më të madh sesa homologët e tij, ndërsa ne lobojmë në nivel të lartë. Ministra të caktuar mundohen ta shtyjnë njohjen, ose ta prolongojnë, por nuk mund ta evitojnë. Ndoshta dikush prej tyre nuk mund ta nënshkruajë tani para se të përfundojnë vizitën në Beograd që e kanë. Për këtë ju them edhe një herë se njohjet të cilat unë i kam përmendur edhe me emra, do të vijnë shumë shpejt. Unë kërkoj mirëkuptimin në këtë çështje edhe nga mediat këtu, por edhe nga shoqëria civile, sepse njohjet nuk kanë qëllim vetëm shkrimin e një letre, ato janë proces.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...