E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrika zgjedh me te mirin

Ankthi i pritshmërisë ishte i madh në sallën e konferencave në Akra të Ganës, ku Afrika shpalli futbollistin më të mirë të vitit. Didie Drogba ishte një kandidat i shkëlqyer, si kampion i Europës në fuqi, por ja që doli dikush që ia mori në metrat e fundit.
Fitues ishte Jaja Ture, ylli i Mançester Sitit dhe presidenti i Federatës Afrikane, Isa Hajatu, e deklaroi para të gjithëve.

Një përqafim i sinqertë i dy njerëzve të fortë vijoi, ndërsa Ture festoi fitoren e dytë radhazi mes fishekzjarrëve. Të dy, nga Bregu i Fildishtë.
Diçka më vonë, fituesi tha fjalët e tij. “Ishte e vështirë të përballoje fitoren e parë, - tha ai, - pasi u ndodha në qendër të vëmendjes. Për mua, është një kënaqësi e madhe, veçse tani duhet të punoj edhe më shumë se më parë. Shpresoj të arrijmë gjëra të mëdha me kombëtaren”.

Didie Drogba e përgëzoi fituesin dhe pranoi humbjen me sportivitet. “Jaja pati një qëndrueshmëri të madhe këta dy vjet, - pohoi ai, - unë vërtet fitova Championsin dhe Kupën e Anglisë, por gjysmën e parë të sezonit luajta pak”.

Me kaq shumë lojtarë të mirë, Bregu i Fildishtë shpreson të arrijë gjëra të mëdha në kompeticionet zyrtare në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›