Xhelozia e Ronaldos

Nuk mjaftojnë shuplakat që po merr në fushën e lojës dhe as konfliktet e brendshme që kanë në qendër Zhoze Murinjon.
Realit të Madridit i ka dalë një problem i ri, shkak i të cilit është kontrata e re e Lionel Mesit tek Barcelona.
Superylli Kristiano Ronaldo ia ka bërë të qartë klubit se nuk dëshiron të mbetet në “Bernabeu” me kushtet aktuale. Ky është lajmi që bën me dijë gazeta “Marka”, që shkruan se gjithçka ka nisur pas lajmeve për rinovimin e afërt të kontratës së Mesit me Barcelonën.
“Ronaldo dëshiron të ketë tek Reali të njëjtin trajtim që ka Mesi tek Barcelona, shkruan “Marka”, ndërsa është tepër i mërzitur që në 3 vjet e gjysmë që ka në skuadër nuk i është ofruar rinovim dhe përmirësim i kontratës”.
E vërteta është se Reali ka në plan ta ofrojë një gjë të tillë, ndonëse kushtet financiare nuk sqarohen. Ronaldo ka shënuar 170 gola në 169 ndeshje për skuadrën “merenges”, diçka që e bën të besojë se meriton një status të veçantë prej superylli, të njëjtë me atë të Mesit në “Kamp Nou”.
Diçka që i djeg është se ish-presidenti katalanas, Zhoan Laporta, vendosi t’ia linte Mesit 100 për qind të parave të fituara nga kontratat sponsorizuese, ndërsa Reali i mban Ronaldos 50 për qind.
Pra, ekziston mundësia që ai të largohet në fund të sezonit dhe mban mend se tek Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson i ofroi disa herë përmirësim të kushteve të kontratës.