E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrikanët e bashkuar

Zona e tifozëve në qytetin Polokwane ka qenë mjaft e frekuentuar në ndeshjen e parë të Kampionatit botëror, që u zhvillua në qytet të dielën. Shumica e tifozëve nga Afrika e Jugut ishin në përkrahje të Algjerisë, si njëri prej gjashtë shteteve afrikane pjesëmarrëse në Botëror, por dëshpërimi ishte i pashmangshëm kur Algjeria u mposht nga Sllovenia me rezultat 1-0.

Kjo ishte fitorja e parë e Sllovenisë në një ndeshje të Kampionatit botëror. Shumë tifozë të dëshpëruar u larguan menjëherë pas ndeshjes, mirëpo disa të tjerë më optimistë së bashku me përkrahësit sllovenë qëndruan të festojnë dhe të përcjellin dy ndeshjet tjera. Serbia luante kundër Ganës në orën 16:00, ndërsa Gjermania përballej me Australisë në 20:30.

Turma të vazhdueshme të tifozëve vinin gjatë ditës nga stadiumi në përgatitje për të përcjellë dy takimet e tjera. Jan Sephala, banor i Polokwanes, ka thënë se ishte shumë i dëshpëruar me rezultatin e Algjerisë. “Por, ndoshta Gana do të arrijë më tepër”, shtoi ai me optimizëm.

Dondo takohet me vuvuzelan

Më pas, dondo u takua me vuvuzelan derisa turmë më e madhe e njerëzve kishin ardhur për të përcjellë ndeshjen mes Ganës dhe Serbisë. Dondo është tupan ganez që përdoret nga fisi Ashante. Gana triumfoi 1-0 me golin e Asamoah Gyan nga penalltia në minutën e 84-të.

Shtetet tjera afrikane, përfshirë Afrikën e Jugut, Nigerinë dhe Algjerinë, nuk kishin fituar në ndeshjet e tyre të para. Nikoqiri barazoi 1-1 me Meksikën, ndërsa Nigeria u mposht 1-0 nga Argjentina, derisa Algjeria humbi nga Sllovenia me rezultat 1-0. Humbja nga Gana sigurisht se ishte e rëndë për Serbinë, pasi ekipi afrikan udhëhiqet nga një trajner serb, Milovan Rajevac.

Ndërsa Afrika e Jugut është bërë shtëpia e dytë për shumë ganezë dhe banorë të shteteve të tjera afrikane. Një numër i madh i tyre kishin ardhur për të festuar fitoren. Tifozi George Amey tha se fitorja e Ganës është shenjë se shtetet afrikane mund të shkojnë larg gjatë kësaj gare.

Ai po ashtu uroi që Kameruni dhe Bregu i Fildishtë të kenë fat në ndeshjet e tyre të para të fazës së grupeve. Kassim Salasi ishte shumë “agyi” pas fitores. Agyi në gjuhën e fisit Ashante do të thotë i lumtur. Ai u ankua për rastet e humbura, por beson se Gana do të kalojë në rrethin e dytë nëse merret parasysh paraqitja e tyre kundër Serbisë. Ndërsa, tifozët e Serbisë nuk gjendeshin askund dhe gjithçka dukej sikur gjithë afrikanët ishin me Ganën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›