Agani në vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe

Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, i kryesuar nga ministri Ferid Agani po zhvillon një vizitë zyrtare në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, me ftesë të zyrtarëve të lartë të këtij shteti arab.
Gjatë kësaj vizite, ministri Agani me bashkëpunëtorë është pritur në Ministrinë e Shëndetësisë të këtij shteti nga dr. Easa Al Mansoori zëvendësministër dhe drejtor për marrëdhëniet të jashtme dhe organizatat ndërkombëtare.
Ministri Agani ka falënderuar nikoqirët për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës dhe është biseduar për fushat e bashkëpunimit në shëndetësi.
Po ashtu, Agani i ka njohur mikpritësit edhe me zhvillimet në shëndetësinë kosovare me theks të posaçëm në procesin e reformave.
Delegacioni i MSH-së është pritur në Abu Dhabi edhe nga drejtori gjeneral i Gjysmëhënës së Kuqe, dr. Mohamed Ateeq Al Falahi, me të cilin është biseduar për kontributin dhe rolin e organizatave humanitare në mbështetje të shëndetësisë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.
Sipas një komunikate të lëshuar nga MSH-ja thuhet se në këto takime, Ministri Agani dhe delegacioni i ministrisë është shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës për Emiratet e Bashkuara Arabe, Rexhep Boja.
Paraprakisht, para udhëtimit për në Emiratet e Bashkuara Arabe, delegacioni i MSH-së ka qëndruar në Turqi, ku është pritur në Shoqatën e Prishtinasve në Stamboll si dhe ka vizituar edhe komunën e Bajram Pashës në Stamboll, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Kryetari i bashkisë dhe deputetë të Parlamentit turk.
Në takimin e organizuar nga Komuna e Bajram Pashës, për ta shoqëruar delegacionin e Kosovës përveç përfaqësuesve të shoqatave të bashkë-atdhetarëve në Turqi, delegacionit të komunës së Bajram Pashës, deputetëve të Parlamentit turk, kanë marrë pjesë edhe bashkë-atdhetarë, ndërsa në takim, Ministri Agani ka falënderuar popullin turk dhe bashkë-atdhetarët për ndihmën e dhënë për Kosovën, duke i çmuar lart vlerat njerëzore që i bëjnë të tregojnë respekt për njëri-tjetrin dhe për bashkëjetesë.