E Diel, 1 Nëntor 2026

Referendumi në veri i motivuar në baza partiake dhe politike

Epilogu i referendumit dihet që tani, sepse serbët e veriut në shumë raste që nga viti 1999 i kanë thënë jo institucioneve të Kosovës, andaj asgjë e re nuk do të ndodhë, ka thënë të hënën sekretari në Ministrinë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq.

Sipas tij, insistimi në mbajtjen e referendumit në Qeverinë e Serbisë vlerësohet i motivuar në baza partiake dhe politike.

“Mbajtja e referendumit që është në kundërshtim me interesat e Qeverisë së Serbisë mund t’i sjellë serbët e veriut në një situatë tejet të rrezikshme. Kushdo që ta formojë Qeverinë e re në Serbi, nuk do të harrojë sjelljet e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, dhe kam frikë se një gjë e tillë do të reflektojë ndjenjë të keqe ndaj veriut, si dhe konsekuenca kryesore e këtij referendumi do të reflektojë po ashtu keq edhe për serbët e veriut, pikërisht për shkak të sjelljeve të kryetarëve të komunave të tyre”, tha Ivanoviq, siç transmeton Kosovapress.

Referendumi në fjalë është paralajmëruar të mbahet në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, më 14 dhe 15 shkurt. Me këtë referendum, siç është thënë, synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›