E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agensa: Jam duke pritur dashurinë

SHKRUAN: Ilda Lumani 09-04-2011 14:46

Përveçse e bukur, ajo është lozonjare. Të enjte, e pamë edhe si koketë, ku u përpoq të joshte jurinë (edhe pse Çani tha se vetëm Shaqirin shikonte në sy). Por nga ana tjetër, ka edhe një sens humori. Ngacmimit të Arjan Çanit se, Agnesa Vuthaj dhe partneri i saj në kërcim, do të përfundonin në javën e dhjetë si një çift në jetë, ashtu si Soni Malaj dhe Mirko në edicionin e kaluar, Agnesa iu përgjigj mjaft lirisht se “nëse do të jem deri në javën e dhjetë është i mirëpritur ky pëlqim mes tyre”! Në një intervistë për gazetën “Mapo”, ndërkaq Agnesa Vuthaj, ish “Miss Albania” rrëfen për emocionet që po i fal pjesëmarrja në “Dancing with the stars”, e cila është edhe një dëshirë e të atit të saj, që u nda nga jeta pak javë më parë…

Agnesa, sërish jeni në Shqipëri. Jeni larguar si fituese e një konkursi bukurie, tashmë konkurroni si një VIP-balerinë. Cila është sfida juaj në këtë kompeticion?

Është një sfidë e re, shumë më ndryshe nga konkursi i bukurisë. Kur erdha për të marrë pjesë në “Miss Albania”, unë e kisha një titull, si “Miss Kosova” dhe ishte më e lehtë. Ndërkaq, përsa i përket kërcimit, duhet të them se është hera e parë për mua që kërcej dhe sidomos, hera e parë që kërcej në një konkurs, është goxha sfidë, por po e shijoj shumë. Unë nuk e kam ditur se si do të shkonte, por tani që po e provoj, po më pëlqen gjithmonë e më shumë.

E mirëpritët pa asnjë hezitim ftesën për të marrë pjesë në këtë spektakël?

Jo, në fakt unë e kam përcjellë programin vitin e kaluar dhe më ka pëlqyer shumë, edhe pse e kam menduar që do të doja të isha pjesë e tij, por kur ma bënë ftesën, nuk isha shumë e sigurt ngaqë thashë nuk di të kërcej dhe nuk do të mund të mësoj dot, dhe nuk dua të dal në skenë dhe të mos di të kërcej.

Kjo, sepse ju e keni njohur veten si fituese deri më tani…?

Po, sigurisht se kur vlerësohesh, qoftë në një konkurs bukurie a diçka tjetër, dhe pastaj të shkosh e të konkurrosh në një disiplinë që nuk është e jotja, është diçka që ka një lloj hezitimi. Pastaj, unë si natyrë nuk është se kam eksperimentuar më parë. Unë kam fituar konkursin e bukurisë dhe me modë jam marrë, me spektakle, me fotografi e më vonë me organizime konkursesh bukurie. Ndryshe nga shumë modele të tjera që kanë eksperimentuar edhe në muzikë, apo një fushë tjetër. Unë e kam pak të vështirë të ndryshoj drejtimin!

Megjithatë, tani kemi parë që jo vetëm ke ndryshuar drejtimin, por ke shndritur këto dy javë si kërcimtare… Je e lumtur për atë që ke arritur deri më tani?

Jam shumë e kënaqur për gjërat që kam mësuar për këtë kohë, mendoj që jam përkushtuar dhe kam mësuar mjaft dhe jam e lumtur për çfarë kam arritur, por edhe me spektaklin.

Agnesa edhe pse është pak herët, por e synoni vendin e parë?

Është herët në fakt, unë gjithmonë synoj që projektet e mia t’i çoj gjithmonë deri në fund, mirëpo nuk është vendi i parë këtë herë synim. Është rrugëtimi, ajo çka më pëlqen më shumë në këtë rast. Dëshiroj të rri sa më gjatë, sepse po e shijoj shumë këtë eksperiencë.

Para nisjes së spektaklit, ju keni pasur një fatkeqësi. Babai juaj ndërroi jetë. Si e keni kaluar këtë moment të vështirë, aq më tepër që ndodhi pak para nisjes së spektaklit?

Unë e kam përjetuar shumë rëndë, fatmirësisht ato ditë isha në Kosovë. Pas fatkeqësisë, isha në mëdyshje nëse duhet të kthehesha prapë në spektakël ose jo, por më pas gjërat nisën të kthehen në normalitet dhe dëshira e tij më e madhe ka qenë që unë të jem këtu dhe kështu që tani nuk jam vetëm për vete, por edhe për të. Ka qenë një lloj dëshire e tij e fundit, pasi ai ishte pak i sëmurë kur unë erdha në Tiranë për të nisur provat, dhe jeta vazhdon pa marrë parasysh çfarë vështirësish kemi.

Ndërkaq Agnesa, cila është kënaqësia që merrni në kompeticionet e bukurisë që ju organizoni?

Kënaqësi merr gjithmonë kur e pëlqen atë që bën, ndaj dhe jam e lumtur me punën time. Organizimi i konkurseve të bukurisë ka qenë që dëshira ime, por edhe një kërkesë në Kosovë sepse pasi unë fitova ’Miss Kosova’ u bë një ndërprerje e këtij konkursi në Kosovë. Ndjehem shumë mirë, më pëlqen, herën e fundit kam organizuar ‘Miss dhe Mister Kosova’ që ka qenë një prespektivë për të gjithë të rinjtë që synojnë modën dhe spektaklet e bukurisë.

Në fakt në Kosovë ka edhe konkurrentë mes jush, që organizojnë konkurse bukurie…Ju ka prishur punë ky rivalitet?

Po është e vërtetë. Tani në Kosovë bëhen dy kompeticione bukurie, por konkurrenca nuk më ka prishur punë aspak, pasi konkursi që unë organizoj quhet ‘Miss Kosova’ dhe është spektakël zyrtar i mbështetur nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe është shumë i njohur.

Agnesa, ka një kuriozitet për jetën personale tuajën, nëse keni dikë aktualisht?

Jo (qesh). Jam duke pritur të vijë në fakt (Qesh).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›