Bllokohen 1 kg marihuanë, transportohej nga Saranda për në Greqi
Kakavijë Strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë goditur sërish një rast të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë. Bëhet fjalë për bllokimin e një sasie marihuane, në një autobus pasagjerësh dhe ndalimin e personit të dyshuar si transportues i saj. Sipas burimeve zyrtare, në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, kanë marrë informacion në rrugë operative se në një autobus të linjës Sarandë – Athinë, një person po transportonte lëndë narkotike, në drejtim të Greqisë. Mbrëmjen e së mërkurës, autobusi i dyshuar është paraqitur për kontrollin rutinë në sportelet e Kakavijës shqiptare. "Mbi bazën e informacionit që ne dispononim, ushtruam një kontroll të imtësishëm në ambientet e brendshme të autobusit, si dhe në bagazh", thonë specialistët e Kufirit në Kakavijë. Gjatë kontrollit, në fund të autobusit poshtë sediljes së pasagjerit, policia gjeti një çantë dore, në të cilën kishte lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë. Burime në grupin hetimor shtojnë faktin se ngarkesa prej 1 kg marihuanë ishte paketuar me letër natriban. Pas hetimeve të para, efektivat e kufirit, të mbështetur edhe nga specialistët e antidrogës në Policinë e Gjirokastrës, kanë konstatuar se ngarkesa e marihuanës, i përkiste pasagjerit Emanuel Hasani nga Saranda.