E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Canaj: “Trajnerët, viktima të krizës së presidentëve”

Një i papunë VIP. Ky është ish-trajneri i Flamurtarit dhe disa ekipeve të tjera në Shqipëri si Dinamo, Besa, Shkumnini, Skënderbeu etj. Një njohës i mirë i futbollit shqiptar dhe një trajner me eksperiencë, por që ka pësuar fatin e shumë trajnerëve të këtij sezoni Neptun Bajko, Hasan Lika, Mirel Josa, Silviu Dumitreski, Ulrih Shulse, Eqerem Memushi, Dhimiter Papuciu. Albania-sport.com kontaktoi me Agim Canaj, për të biseduar rreth problemeve që shqetësojnë futbollin shqiptar
Albania-Sport: Me se po merret tani Agim Canaj, që nga koha e vetëdorëheqjes si trajner i Flamurtarit?
Agim Canaj: Ende nuk jam integruar në kampionat. Ne jemi trajnerë dhe jemi gjithmonë në pritje të ofertave, si atyre që vinë nga klubet e Superligës, por nuk mohohen edhe ato të kategorive të tjera, e vecanërisht të Kategorisë së Parë, te ekipe që kanë pretendime. Pavarësisht se unë kam pasur kontakte me ekipe, nuk jam kontaktuar nga klube amicioze dhe me objektiva të qarta. Momentalisht jam duke pritur dhe nuk mund të jap projekte të gjata. Në Shqipëri sistemi i punësimit dhe largimit të trajnerëve është i tillë, që në cdo moment mund të jesh trajneri i një skuadre, ashtu si në cdo moment je i rrezikuar të jesh i shkarkuar. Kjo është dhe pjesë e profesionit tonë.
Albania-Sport: Largimi nga Flamurtari ishte thuajse i papritur, kur shikon që tani drejtohet nga trajneri i tretë sezonal, miku juaj Vasil Ruci?
Agim Canaj- Te Flamurtari kisha dëshirë të kontribuoja si vlonjat. Ajo që më bëri përshtypje, pavarësisht se kontaktet e mia ishin sipërfaqësore, por nga ato që pashë në brendësi, ishte konsolidimi i bindjes se në Vlorë është vështirë. Sidomos pas vitit 1997 problemet janë të mëdha. Është për t'u përshëndetur kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili po bën një punë cilësore. Por i vetëm ky njëri pasionant nuk mund të bëjë më shumë në një situatë të tillë, pa mbeshtetjen e bisnesmënëve të tjerë të Vlorës. Futbolli vlonjat duhet ndihmuar nëse do të duam të arrijmë te ajo traditë e mirë e Flamurtarit. Por, me atë që pashë, duhet shumë punë që të ngrihet ai Flamurtar. Plejada e fundit e Flamurtartit me Kreshnik Cipin, Alfred Ferkon, është shumë e vështirë të riprodhohet, pasi mungon totalisht infrastruktura.
Albania-Sport: - Keni qenë trajner i ekipeve me emër dhe traditë në Shqipëri. Si ish-trajner i sukseshëm i Dinamos, a patët ndonjë ofertë nga klubi i Besnik Sulaj, kur u largua Faruk Sejdini?
Agim Canaj- Jo. Dinamo i mbylli ofertat e saj me emërimin e Redi Jupit. Por, ajo që dua të theksoj, është fakti i sistemit mbi të cilat funksionojnë ofertat për trajnerët. Ato nuk konstistojnë në vlerat që posedon trajneri, por në mundësitë financiare të presidentëve. Për më tepër që ato janë produkt jo i bashkëbisedimeve zyrtare, por në bazë të bisedave të tavolinave.
Albania-Sport: - Cili kriter vendos në përzgjedhjet e trajnerëve, paratë e presidentëve apo vlerat e trajnerëve?
- Në Shqipëri mungojnë kontratat legale të trajenerëve, dhe për më tepër ato janë gojore si rezultat i bisedimeve në tavolina dhe jo në zyra. Kontrata serioze dhe e mbështetur në Ligjin e Punës do të ishte zgjidhja më e mirë. Pas, kësaj do të ishte e natyrshme që do të zgjidheshin trajnerët më të mirë.
Albania-Sport: - Gjatë këtyre 17 javëve të kampionatit 12 skuadrat e Kategorisë Superiore, madje tre ekipe drejtohen nga trajneri i tretë sezonal, përfshirë dhe ish-Flamurtarin tuaj. Përse ndërrohet një trajner, për shkak të rezultateve apo...
Agim Canaj- Me këtë sistem që është instaluar në Shqipëri është e vështirë që një trajner të mbijetojë për një sezon. Duke parë edhe këtë kampionat, kur i vetëm i mbijetuar është Sulejman Starova. A nuk ju duk absurd largimi i Mirel Josës, kur Tirana kryesonte kampionatin. Të gjitha ekipet e Supërligës deklarojnë në fillim të sezonit objektiva që për disa skuadra janë tej mundësive të tyre, por që janë të paarritshme për shpenzimet që bëhen. Ekipet më të stabilizuara për momentint janë Tirana, që po kryeson kampionatin dhe Teuta që ka një qendrueshmëri rezultatesh. Pjesa tjetër, duke patur parasysh edhe kampionin në fuqi, Elbasanin që ka ndryshuar më shumë se 80% lojtarët dhe stafin, nuk kanë marrë rezultate e pritura. Unë them se me këtë sistem, në Shqipëri është shumë e vështirë që një trajner të mbijetojë për një sezon të plotë. Kështu do të ndodhë derisa futbolli të shikohet si biznes dhe jo si lojë.
Albania-Sport: - Sipas Canaj, Tirana është kampionia e re e vendit dhe dyshja që do të zbresë është Apolonia dhe Shkumbini, apo të rrezikuara janë dhe Besa e Flamurtari, dy ekipe që ju i keni drejtuar në të kaluarën e afërt?
Agim Canaj- Sipas eksperiencës sime jo të vogël, kur kam drejtuar gjatë karrierës simë në gjashtë ekipe të Superligës së sotme, mendoj asnjëherë nuk i është dhënë vlerë luftës që bëjnë ekipet e vogla. Me sistemin e ri të kampionatit unë mendoj se situata do të jenë shumë të vështira. Të gjashtë ekipet që renditen të fundit mund të jenë rrezikuara për të rënë një kategori më poshtë.
Albania-Sport: - Sa varet futbolli shqiptar nga paratë e donatorëve apo presidentëve?
Agim Canaj- Së pari presidentët duhen falënderuar pasi japin lekë nga xhepi i tyre për një futboll që është në krizë totale dhe nuk prodhon asnjë rimbursim financiar direkt për ta. Faktorët janë të njohur: mungesa reklamash, nivel i ulët i kampionatit. Presidentët kanë gabimet e tyre, dhe jo rallëherë hyjnë në probleme teknike, që u përkasin trajnerëve. Këto situta e vështirësojnë shumë punën e trajnerit. Në klubet shqiptare ekizstojnë drejtorët teknikë, që janë disa kuklla që vihen vetëm për të marrë një rrogë dhe nuk kanë asnjë lloj influence ose për të dhënë një mendim profesional presidentit, që në 99% të rasteve vendosin vetë për gjithcka në momentet e krizës së tyrë. Një ekip nuk mund të ndërtohet për 1, 2 apo 5 muaj, por duhet një strategji për të ndërtuar një ekip. Presidentët nuk mund ta pranojnë disa situata ulje-ngritjesh, dhe kjo u vërtetua mësë miri me largimin e Mirel Josës dhe trajnerëve të tjerë, që janë bërë pre e situatave të kendshme për profesionin tonë.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›