Agim Shehu: Uroj që me kaq pasion të gjykoni edhe rastet e kolegëve të mi të vrarë
Më në fund, pas disa thirrjeve të shpeshta të akuzës dhe gjykatës, Agim Shehu paraqitet para togave të zeza dhe dëshmon për herë të parë mbi gjithçka dinte rreth rrëmbimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Për afro 45 minuta, ish-zëvendësministri i Brendshëm dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në kohën kur u rrëmbyen Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj e Ziso Kristopulli, ka dhënë shpjegime rreth atyre gjërave që kishte dijeni rreth çështjes, ndërkohë që është shprehur se nuk ka dijeni për brendinë e disa dokumenteve që dispononte prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Pasi ka dhënë shpjegime rreth funksionit që ka pasur, kur ka marrë dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, nga kush dhe çfarë verifikimesh ka bërë, kontaktet e drejtpërdrejta me personat që janë interesuar për fatin e Remzi Hoxhës dhe verifikimi i targave të makinës që e rrëmbeu, Agim Shehu e mbylli dëshminë e tij, duke ironizuar trupin gjykues: “Uroj që me kaq pasion të gjykoni edhe rastet e kolegëve të mi të vrarë”. Dëshmitari Shehu, aktualisht drejtues në Drejtorinë e Investigimit për Krimet e Kryera në Fushën e Tatimeve, e kishte fjalën për dy dosjet e bujshme që janë duke u gjykuar në këtë gjykatë, masakra e Cërrikut ku mbetën të vrarë 9 gardistë dhe dosja e Qafë-Gjashtës, ku mbeti i vdekur një polic, Gjergji Mehmeti dhe i plagosur shefi i Kriminales, Sokol Bizhga. Dëshmia e Agim Shehut u zhvillua përmes pyetje-përgjigjeve midis tij dhe prokurorit Hana. Më pas, seanca ka vijuar me pyetjen e personit që për 4 muaj ka drejtuar SHIK-un në vitin ’97, Arben Kahimi, i cili gjatë dëshmisë së tij deklaroi se nuk dinte gjë për pyetjet që i drejtoheshin. Seanca e radhës do të vijojë me pyetjen e Fatos Klosit, thirrjen e të cilit e ka marrë përsipër sërish organi i akuzës, ashtu sikundër veproi edhe me dëshmitarin Agim Shehu.
Si u vutë në dijeni për rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha?
Nuk jam vënë në dijeni për rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha. Jam vënë në dijeni të një kallëzimi që kanë bërë familjarët e tij, për mungesën e tij në familje në një datë që nuk e kujtoj, por duhet të ketë qenë pjesa e dytë e vitit 1996.
Po policia, a ka pasur dijeni mbi këtë rrëmbim?
Policia nuk ka pasur dijeni, ndaj dhe nuk ka fiksuar targa.
A ka pasur kallëzim për këtë ngjarje?
Nuk ka pasur kallëzim për rrëmbim. Unë nuk vihesha në dijeni për gjithë kallëzimet që bëheshin në polici.
A ka pasur ndonjë kërkesë nga familjarët për ta takuar?
Zëvendësministrit të Brendshëm nuk i është bërë asnjë kërkesë nga familjarët për t’u takuar. Nuk njoh asnjë nga familjarët.
Keni pasur kërkesa nga institucione të larta për verifikime rreth këtij rrëmbimi dhe a u jeni përgjigjur?
U jam përgjigjur me shkrim institucioneve të larta. Besoj se në dokumentet zyrtare gjenden përgjigjet.
Çfarë përgjigje keni dhënë për Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me kërkesën për verifikimin e targës së makinës dhe cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja? A jeni takuar me prokurorin e Përgjithshëm dhe a keni folur për këtë çështje?
Në institucionet ligjore kërkesat bëhen me shkrim. Marrëdhëniet e mia me Prokurorinë e Përgjithshme kanë qenë zyrtare dhe nuk kam folur për këtë çështje me Prokurorin e Përgjithshëm.
Prokurori i Përgjithshëm ka një shënim lidhur me këtë takim...
Shënimet private nuk janë provë.
A ka kërkuar Presidenca një shpjegim rreth kësaj ngjarjeje?
Presidenca më ka kërkuar shpjegime rreth ngjarjes. Pas verifikimeve në komisariatin nr. 3 i kam kthyer përgjigje zyrtare për sa kishte dijeni rreth kësaj ngjarjeje.
Sa përgjigje keni kthyer, një apo dy?
Nuk jam i sigurt sa herë i kam kthyer përgjigje Presidencës.
Të ka kontaktuar njeri tjetër për këtë ngjarje?
Ka pasur interesim edhe nga kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, të cilin e kam takuar edhe personalisht, i kam kthyer përgjigje edhe zyrtarisht. Në të dyja rastet e kam sqaruar për ngjarjen për të cilën interesohej.
Po nga Kosova, ka pasur personalitete që janë interesuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës?
Nuk kam qenë në dijeni të ndonjë interesimi nga ndonjë personalitet nga Kosova.
ǒmund të na thoni për verifikimin e targës së automjetit që rrëmbeu Remzi Hoxhën?
Për targat nuk mund të jem i saktë, pasi është folur shumë. Mbaj mend që Prokurorisë i është kthyer përgjigje, por nuk mbaj mend çfarë përgjigje.
E njihni Eneid Kazazin?
Ka qenë vartësi im, drejtor i Qarkullimit Rrugor.
Prokurori i drejtohet Agim Shehut:
Përgjigjja që i keni dhënë Presidencës për targat ka qenë: “Nga puna e bërë nuk rezulton që targat të jenë hedhur në qarkullim nga ana jonë”. Ndërsa nga Kazazi ka mbërritur përgjigjja në Prokurori të Përgjithshme se “këto targa janë hedhur në qarkullim nga ana jonë”. Përgjigjja e dytë drejtuar Presidencës: “Nga hetimi i çështjes nuk rezulton të jenë zbuluar autorët e kësaj vepre dhe nuk është bërë i mundur zbulimi i autorit. Çështja iu kthye sërish Prokurorisë së Tiranës sipas kërkesës së saj, ndërsa Policia Kriminale ka hapur një dosje për zbulimin e autorëve të kësaj vepre”.
Si i shpjegoni këto kontradikta në përgjigje?
Nuk e di, pasi përgjigjet për verifikimet e kërkuara kthehen nga drejtues përkatës dhe kalojnë në zyrën time apo të ministrit për firmë. Të dyja përgjigjet janë përgatitur nga i njëjti njeri dhe kanë kaluar për firmë.
I njihni Abdyl Loshajn dhe Ziso Kristopullin dhe a keni dijeni për ngjarjet e tyre?
Nuk kam dijeni për ngjarjen e Loshajt dhe nuk e njoh. Ndërsa Ziso Kristopullin e kam njohur kur kam qenë me pushime në Sarandë. Dikush më tha se ky është ai personi për të cilin kanë shkruar mediat që e kishin rrëmbyer.
Keni gjë tjetër për të shtuar?
(Agim Shehu u drejtohet gjyqtarëve): Uroj që me kaq pasion të gjykoni edhe rastet e kolegëve të mi të vrarë.