E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; Droga e “Mesfushori 1”, gjykata lë në burg Hidrin e Gjikën



Shoqërohen për masë arresti dy nga katër të arrestuarit për drogën e kapur në kuadër të operacionit “Mesfushori 1”. Sipas burimeve nga gjykata, për këta shtetas u caktua masa e kërkuar nga organi i akuzës, përkatësisht “arrest me burg”, ndërkohë që sot pritet të shoqërohen për caktim mase dy të arrestuarit e tjerë, Thanas Bebi e Mikel Dima. Gjatë seancës së masës, Gjika e Hidri nuk kanë preferuar të flasin, përveç faktit që mohojnë që kanë të bëjnë me drogën e kapur. Taksisti Hidri mësohet të ketë deklaruar se nuk kishte dijeni mbi drogën në taksi, ndërkohë që sipas akuzës, disponohen prova në përgjime për implikimin e dy të akuzuarve. Për këtë arsye, gjykata la në burg Hidrin e Gjikën, duke caktuar masën “arrest me burg”. Këta shtetas u kapën njëri me 4 kg heroinë në taksi dhe tjetri me 1 kg kokainë në një magazinë në Elbasan. Akuza që rëndon mbi ta dhe dy të arrestuarit e tjerë është “trafik lëndësh narkotike në bashkëpunim”. Droga është kapur disa ditë më parë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe në një magazinë në Elbasan. Origjina e drogës ishte Turqia, e cila sigurohej nga të arrestuarit në Maqedoni për t’u tregtuar në tregjet shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›