E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushëriri qëllon pa dashje me çifte 11-vjeçarin



Një fëmijë 11-vjeçar ka mbetur i vdekur, pasi është qëlluar në mënyrë të pavullnetshme me çifte nga kushëriri i tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shëngjegjaj në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, një e shtënë me çifte i ka marrë jetën të miturit me iniciale A.P. Ai ishte së bashku me kushëririn e tij M. P. në shtëpi, ku po luanin me armën. E shtëna ka alarmuar familjarët e fëmijës, të cilët kanë shkuar menjëherë në dhomë. Ata e kanë parë atë të mbuluar me gjak dhe janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë. 11-vjeçari është transportuar menjëherë në spital, por ai nuk ka arritur që të mbijetojë. Plagët e marra në trup, si pasojë e saçmave, kanë qenë të shumta, duke bërë që ai të humbasë shumë gjak dhe të mos arrijë që të mbijetojë. Në vendngjarje kanë shkuar edhe uniformat blu, të cilat kanë nisur nga puna për zbardhjen e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, të dy fëmijët ishin brenda në shtëpi dhe kishin shkuar tek dhoma ku mbahej arma. Ata kishin marrë çiften dhe kishin filluar që të luanin me të. Por dy të miturit nuk e kanë ditur që arma ka qenë e mbushur dhe ndërsa ishin duke luajtur me njëri-tjetrin, M.P. e ka drejtuar atë drejt 11-vjeçarit. Arma është shkrepur aksidentalisht, por saçmat kanë kapur A.M., i cili është përplasur në tokë. Më pas 16-vjeçari ka kërkuar ndihmë, ndërkohë që zhurma e krismës ka tërhequr vëmendjen e familjarëve të tjerë, të cilët ndodheshin në shtëpi. Ata kanë parë të miturin të mbuluar në gjak dhe e kanë nisur atë në spital. por ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut. Policia ka marrë në pyetje kushëririn e viktimës, 16-vjeçarin M.P. Në praninë e një psikologu, 16-vjeçari ka treguar për ngjarjen i shokuar. Sipas tij, ata nuk e dinin se ajo ishte e mbushur. Ai gjithashtu ka shtuar se e ka qëlluar pa dashje kushëririn e tij, pasi ishin duke luajtur me armën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›