Shqipëria, e dyta në rajon për reformat ekonomike dhe fiskale
Shqipëria ka bërë hapa për sa i përket lirisë ekonomike. Reformat e ndërmarra prej saj gjatë vitit 2008 e kanë renditur atë vendin e dytë në Ballkan, për sa i përket ecurisë së tyre në sektorin ekonomik. Shqipëria e ka marrë një vlerësim të tillë në shqyrtimin që u janë bërë rreth 179 vendeve të botës. Heretich Foundation dhe Wall Street Journal, në raportin e tyre të fundit e renditin Shqipërinë të dytën në rajon, pas Bullgarisë, për lirinë ekonomike në vitin 2008, duke lënë pas edhe shumë vende të rajonit dhe vende të tjera, edhe anëtare të BE-së. Në raportin e Heretich Foundation dhe Wall Street Journal, që shqyrton 179 vende të botës, Shqipëria renditet në vendin e 62-të, duke lënë pas vendet anëtare të BE-së, si Franca, Italia, Sllovenia etj. Risitë që solli viti 2008 në sektorin e taksave, kanë vlerësuar në këtë raport Shqipërinë ndër vendet me lirinë fiskale më të mirë. Në raport thuhet se liria ekonomike është përmirësuar nga një vit më parë, me 1.3 për qind dhe është ndjeshëm i shkëputur nga vendet e rajonit. Kështu, Maqedonia renditet në vend të 78-të, Mali i Zi në vend të 94-të, Serbia në të 109-in, Kroacia në vend të 1160të, dhe Bosnje-Hercegovina në vend të 134-t. Ulja e vazhdueshme e taksave e ka renditur vendin tonë 18 pikë më mirë se mesatarja e 179 vendeve të botës për lirinë fiskale. Po kështu, masat e marra nga qeveria, siç është edhe regjistrimi i biznesit në një sportel unik, ka përmirësuar me 3 pikë lirinë e biznesit në vend. Gjithashtu, në raport është vlerësuar edhe lufta kundër korrupsionit, ndërsa problematike mbetet çështja e pronave. Heretich Foundation ka 15 vjet që kryen studime të tilla për ekonominë në mbarë botën. Gjatë vitit të kaluar Shqipëria jo pak herë ka qenë në vëmendjen e organizatave të fuqishme ndërkombëtare, institucioneve studimore, revistave prestigjioze ekonomike dhe institucioneve financiare për reformat tepër të guximshme të ndërmarra, të cilat kanë sjellë një përmirësim të klimës së biznesit dhe reduktim të barrierave administrative dhe fiskale. Ndërkohë po dje, raporti i Freedom House vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e lirive politike dhe atyre njerëzore, duke e vënë vendin tonë në të njëjtat kuota me vendet e tjera të rajonit.