Agim Sulaj: Grishja për të zbuluar botën fëmijërore
Një fëmijë i vogël, një portë dhe misteri i botës që e rrethon. Ky do të ishte përshkrimi i shkurtër i pikturës "E ardhmja" e Agim Sulajt. Vepra e piktorit shqiptar, i cili prej disa vitesh jeton e punon në Itali, është fituese e çmimit të madh në seksionin e pikturës të Bienales së Gabrovos në Bullgari. "E ardhmja" ka konkurruar mes 2391 veprave në pikturë, skulpturë, karikaturë, grafik, e fotografi, të realizuara nga 799 artistë të ardhur nga 66 vende të botës. Nga një fazë seleksionuese, gjatë së cilës janë përcaktuar edhe veprat fituese, do të ekspozohen 915 punime nga 552 artistë të 59 vendeve të botës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 16 maj në Gabrovo të Bullgarisë me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të artit, ndërsa Agim Sulaj shprehet se nuk e kishte pritur këtë çmim. "Deri diku jam i çuditur se si kjo pikturë arriti të fitojë mes aq shumë veprave në konkurrim. Ndoshta është pikërisht enigma e fatit të këtij fëmije(ose e ardhmja)e cila e çoi jurinë të vendosë për këtë pikturë", shprehet Sulaj. "E ardhmja" është realizuar këtë vit, një pikturë në vaj me dimesione 60-70cm. Çmimi Grand Prix përmban një statuetë në ar të Ezopit, legjendës helene të botës së fantazisë e përrallave. Njëkohësisht si fitues, Sulaj ka të drejtën e një ekspozite personale që organizohet në Gabrovo, në bienalen e ardhshme të vitit 2011. Bienalja e Gabrovos, e krijuar në vitin 1972 është e njohur për artistët shqiptarë. Karikaturistët shqiptarë kanë marrë pjesë gjatë viteve 1978-1988, duke dërguar punimet e tyre në këtë manifestim madhështor të krijimtarisë e imagjinatës. Edhe pse kanë kaluar vite e janë ndërruar sisteme e botëkuptime, kjo bienale vazhdon të mbijetojë me moton e saj të përhershme: "Bota ekziston falë të qeshurës". Agim Sulaj e ndan frymëzimin e tij mes pikturës dhe skulpturës. "Në pikturë vazhdon dëshira për t‘u marrë me botën e fëmijës dhe rezultati i fundit është ky vlerësim në Bullgari. Do filloj të përgatitem për ekspozitën që duhet të çel në Gabrovo më 2011-ën. Tema kryesore do të rrotullohet rreth fatit të fëmijës ose të Ardhmes...Ndërkohë, në pikturë është për t‘u shënuar dhe pranimi i një pikture në fondin e njohur Michetti, në Itali, në të cilin bëjnë pjesë artistë të njohur bashkëkohorë", shprehet Sulaj. Vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshëm për të në karikaturë. Veprat e realizuara prej tij janë prezantuar në një sërë konkursesh ndërkombëtare në mbarë botën e janë vlerësuar edhe me çmime. "Karikatura po ndjek ritmin e vazhdueshëm të konkurrimeve. Për t‘u shënuar është nominimi për "Grand Prix" që organizohet nga qendra e shtypit evropian me qendër në Bruksel në fillim të këtij viti, një tjetër nominim në Francë, si dhe pjesëmarrja së shpejti si anëtar i jurisë evropiane në Budapest për një konkurrim në karikaturë", thekson piktori. Në Tiranë ka kohë që nuk shihen ekspozita të karikaturës, edhe pse dikur ka qenë një gjini mjaft e lëvruar. Por teksa e pyet nëse ka në projekt ndonjë aktivitet të tillë, Sulaj shprehet se përvojat e mëparshme të tij nuk janë pozitive. "Shpesh më shkon mendja të organizoj me ndihmën e miqve artistë në Shqipëri ekspozitë karikature, konkurrim apo bienale. Eksperiencat janë jo shumë pozitive, prandaj do ta lë për një kohë të mëvonshme", shprehet ai. Rreth tre vjet më parë, Agim Sulaj u kthye në Tiranë me një ekspozitë personale të punëve të tij. Të njohura janë pikturat e tij me temën e emigrimit, pikturat të frymëzuar nga bota fëmijërore apo piktura të krijuara nga frymëzimi i figurave të njohura si Nënë Tereza. Vazhdon të punojë në pikturë dhe karikaturë. Motivi që e nxit: "të krijoj e të punoj duke unifikuar të dyja mundësitë e mia; pikturën e karikaturën në një të vetme".