E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomenologjia e desktopit

Ndonjëherë mjafton vetëm një foto dhe ndoshta mënyra se si e ke vendosur atë, pa marrë parasysh ndërveprimin e saj me pjesën tjetër të informacioneve, të vendosura në ekranin e kompjuterit tuaj. Kjo është tema e kërkimit mbi psikologjinë e desktopit të bërë nga "Microsoft" dhe i përfunduar nga psikologja që merret me studimin e sjelljeve, Dona Davson. Mjafton të shohësh sfondin e kompjuterëve të kolegëve për të kuptuar më shumë nga ajo që mund të imagjinohet. Ikona të vendosura me rregull apo të shpërndara rastësisht gjithandej, të pozicionuara në një anë të gjitha apo në mënyrë harmonike me fotografitë. Por jo vetëm kaq. Edhe fotoja e përdorur për desktopin tregon shumë për personin që e ka zgjedhur, mbi të gjitha tregon diçka për personalitetin e tij, për ambiciet dhe zakonet që ka. Preferon të kesh një ekran të gjithin blu në vend të fotove me miqtë? Je një njeri tolerant dhe pak i shoqërueshëm? Të pëlqen të vendosësh në desktop fotot me sukseset e tua, nga ndeshjet e futbollit deri tek udhëtimet më aventuriere? Je ambicioz dhe ke nevojë që edhe të tjerët ta dinë këtë? "Desktopët janë hapësirat tona personale dhe për këtë japin një përshkrim shumë të kujdesshëm të tipareve të individëve. Në përgjithësi mendoj se çdo gjë shton një detaj mbi atë që jemi vërtet. Edhe pse nuk jemi të ndërgjegjshëm, është e rëndësishme të dimë të deshifrojmë disa sinjale të caktuara në mënyrë që të ‘punojmë‘ mbi perceptimin që të tjerët kanë për ne: desktopi ynë mund të përdoret për t‘i dhënë një imazh pozitiv të tjerëve", shpjegon autorja e këtij studimi interesant, Dona Davson. Të njëjtin mendim kanë edhe shumë drejtues të "Microsoft" në Evropë: "Pasi lexova për këtë studim, bëra një xhiro nëpër zyrat tona dhe kuptova se në tri raste nga katër të tilla, profili i gjetur nga Davson korrespondonte me pronarin e desktopit. Desktopi dhe dritaret e navigimit janë pasqyra e përdoruesve", shpjegon drejtuesi i "Microsoft"-it në Francë.

Studimi

Pasi analizoi një numër të madh desktopësh në shumë zyra amerikane, psikologja Dona Davson ka përcaktuar në bazë të disa treguesve të rëndësishëm, gjashtë lloje personalitetesh të lidhura me të: gjenerik, i ekuilibruar, fitimtar, egoist, artistik dhe i shoqërueshëm.

Gjenerik

Desktopi është pothuajse bosh. Sfondi ka një ngjyrë homogjene dhe neutrale, kryesisht bojëqielli dhe ikonat janë të vendosura sipas një rregulli, duke mbajtur profil bazik. Në pamje të parë duket si një ambient i ftohtë pune. Ai që ka një desktop të tillë është një person i organizuar, që urren rrëmujën dhe pëlqen t‘i arrijë objektivat e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është njeri i drejtë, korrekt në punë dhe i disiplinuar. Në zyrë i pëlqen të punojë, në vend që të ketë shumë shoqëri dhe dëshiron ta mbajë jetën private larg kuriozitetit të kolegëve.

I ekuilibruar

Ikonat janë vendosur në mënyrë harmonike me imazhet dhe fotoja e zgjedhur në desktop përfaqëson një kujtim të veçantë, i cili mund t‘i kujtojë një vend që është vizituar të paktën një herë në jetë dhe evokon emocione të lidhura me atë çast; një vend me interes kulmor apo historik, ose në fund mund të jetë edhe një vend frymëzimi. Një desktop i tillë tregon një personalitet të ekuilibruar, një karakter të qetë dhe të ftohtë, i aftë t‘i shohë problemet si sfida.

Fitimtar

Shtyllat se si janë vendosur ikonat janë të vogla dhe të shkatërruara, ndërsa imazhi i zgjedhur për t‘u vendosur në desktop përfaqëson momente suksesi të jashtëzakonshëm në jetë. Ai që ka një desktop të tillë është një njeri që kërkon t‘i japë më shumë hapësirë kreativitetit, që preferon të shkojë kundër rrymës. Fotoja është zgjedhur për të kujtuar momente të sukseseve në të kaluarën, për të motivuar rezultatet e mira në të ardhmen dhe për të pasur vetëvlerësim. Ambiciozë, me shpirt të fortë gare, punëtorë të mëdhenj, këta persona pëlqejnë të tregojnë se janë të vetëkënaqur.

Ëndërrimtar

Imazhi në sfond është ai i një vendi përrallor, të zhytur në natyrë, si për shembull një plazh, një mal, ndërsa ikonat janë vendosur anash ose në pjesën e poshtme të faqes. Desktopi i një ëndërrimtari tregon për një personalitet të organizuar mirë, që nuk pëlqen të humbasë rastet, por të largohet nga ritmet stresuese të punës, vetëm duke parë një imazh që evokon një arratisje nga realiteti. Kush është i tillë e di që falë punës së vështirë mund të arrijë atë që do.

Artistik

Imazhi i një luleje me një qendër që të sjell ndërmend beben e syrit ose lentën e një aparati fotografik është treguesi i një personaliteti artistik, kreativ dhe origjinal. Artistik dhe i shoqërueshëm, por që urren të ecë me rregulla. Nuk pëlqen të ekspozohet shumë dhe di të njohë pikat e dobëta të të tjerëve.

I shoqërueshëm

Radhë të ndryshme ikonash, të vendosura në mënyrë të rastësishme përfaqësojnë një personalitet që pëlqen të ketë gjithçka nën kontroll, por që shpesh rrezikon të duket vërtet i çorganizuar. Imazhi i zgjedhur është një foto e zgjedhur në shoqërinë e miqve që tregon shpesh se për këta lloj personash, shoqëria është ajo që zë vendin e parë. U pëlqen të punojnë në grup dhe për ta, kufijtë mes jetës në punë dhe asaj sociale janë shumë të hollë. Ai që ka një desktop të tillë është një njeri i hapur, i shoqërueshëm dhe besnik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›