E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Toro: “Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave ka dështuar”

“Agjencia e Pronave nuk ka dhënë asnjë vendim për kthimin fizik të pronës”. Ai propozon një ligj të ri që të kthejë pronën dhe t’i japë fund korrupsionit

Eljona Ballhysa
Kryetari i Shoqatës së ish-pronarëve, Agim Toro, është shprehur dje për gazetën “Albania” se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronarëve ka dështuar dhe bashkë me të edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas Toros, në bazë të ligjit, afati përfundimtar për kthimin e pronave ish-pronarëve është 31 nëntori i vitit 2009 dhe deri tani, sipas tij, AKKP-ja nuk ka asnjë vendim në letër për kthimin e pronave ish-pronarëve. Ndërsa përsa i përket kompensimit financiar, për 5 vjet AKKP-ja ka operuar me një fond prej 21 milionë dollarësh, ndërkohë që nga përllogaritjet tona fondi për të kompensuar financiarisht ish-pronarët kap shifrën e 40 miliardë dollarëve. Më tej Toro bën të ditur se janë rreth 8 mijë dosje me kërkesat e ish-pronarëve që kërkojnë kthimin ose kompensimin e pronës, të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga kjo agjenci. Ndërkaq, janë 2 mijë dosje që janë ende në proces shqyrtimi, për të cilat nuk ka asnjë vendim. Kjo deklaratë e kreut të Shoqatës së ish-pronarëve erdhi dje pas vendimit të qeverisë për mos shtyrë afatin e shqyrtimit të kërkesave të ish-pronarëve për kthimin dhe kompensimin e pronës dhe për shkrirjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Deklarata
“Agjencia është në funksion të ligjit të kompensimit dhe kthimit të pronave. Ky ligj e ka mbaruar funksionin e vet dhe mundësinë për kthimin fizik të pronës. Agjencia në qarqe nuk ka më të drejtë të marrë vendime për kthim fizik të pronave. Por ka ndodhur një problem, sepse në degët e Agjencisë në qarqe janë 8 mijë dosje të subjekteve të shpronësuara që nuk janë shqyrtuar ende dhe nuk ka asnjë vendim administrativ për to. Detyrimisht, Parlamenti duhet të krijojë hapësirat për vendimmarrjen për t’u dhënë të drejtë degëve të Agjencisë për të marrë vendime për dosjet e hapura nga qytetarët. Nga ana tjetër, janë mbi 2 mijë dosje të tjera që ndodhen në AKKP, që janë ankimime nga qytetarët dhe ende nuk ka një vendim për ta”, - është shprehur Toro.
Ai i referohet Raport-Progresit të fundit të Komisionit Europian, i cili e cilëson reformën e pronësisë kyçe për integrimin e vendit dhe një çështje ende të pazgjidhur. Sipas Toros, ligji nuk e ka përmbushur qëllimin e tij për shkak se AKKP-ja nuk ka asnjë vendim në letër për kthimin fizik të pronës. “Ligji nuk e përmbushi qëllimin e tij për të realizuar reformën e pronësisë, që është një nga kushtet kyçe të BE-së. Dështimi ka qenë në faktin se kthimet fizike kanë qenë të pavlefshme krahasuar me kërkesat e qytetarëve. Kompensimi fizik përfundon më 31 nëntor të 2009-s dhe nuk ka filluar dhe nuk ka ndërmend të fillojë ky proces. Nuk ka asnjë vendim në letër”, - është shprehur Toro. Ai bën të ditur se edhe kompensimi financiar që është bërë gjatë 5 viteve është minimal krahasuar me vlerën e vërtetë që kanë pronat e ish-pronarëve. “Deri tani, qeveria, në 5 vjet ka akorduar një fond prej 21 milionë dollarësh për kompensimin financiar. Ndërkohë që nga përllogaritjet që kemi bërë ne si shoqatë, vlera reale e kompensimit është 30 miliardë euro, ose 40 miliardë dollarë”, - është shprehur Toro. Duke iu referuar vendimeve të dhëna nga Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, Toro shprehet se situata është akoma më e rëndë për shkak se vendimet e saj kapin shifra disa herë më të larta, që do të paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë. “Ne mendojmë se jemi në një situatë akoma më të rëndë lidhur me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Më 29 shtator të vitit 2009 nga kjo gjykatë u dha një vendim për një pronar shqiptar, i cili kishte mbi 5 vjet që priste kompensimin nga shteti shqiptar për vetëm 1600 metra katrorë tokë në Tiranë. Strasburgu vendosi që qeveria shqiptare t’i paguajë këtij pronari një shifër prej 3 milionë eurosh. Në këtë vendim i tërhiqet vëmendje qeverisë shqiptare, sepse në Strasburg janë të hapur 219 çështje të tjera të pronësisë nga pronarë shqiptarë. Strasburgu i kërkon qeverisë që të ndryshojë ligjin sepse ndëshkimet do të jenë edhe më të rënda”, - është shprehur Toro. Ai i bën thirrje Parlamentit dhe qeverisë që të ulen në një tryezë të përbashkët me Shoqatën e ish-pronarëve dhe të hartojnë një ligj të ri që të bazohet në kthimin fizik të pronës në mënyrë që t’i jepet fund korrupsionit që është bërë gjatë këtyre viteve.

Qeveria vendos mbylljen e procesit të kthimit të pronave

Këshilli i Ministrave vendosi dje të mbyllë procesin e kthimit të pronave. Kryeministri Berisha u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për shqyrtimin e 8 mijë kërkesave nga ish-pronarët për kthimin dhe kompensimin e pronave. Berisha u shpreh se Agjencia e Pronave do ta kryejë procesin e shqyrtimit deri më 30 qershor të vitit 2010, që është afati i fundit dhe më pas kjo agjenci do të shkrihet. Ndërkaq, Agjencia e Pronave duhet që deri në fund të muajit qershor të shqyrtojë 8 mijë kërkesa të bëra nga ish-pronarët për kthimin e pronave. “Nuk do të ketë më zgjatje afati për paraqitjen e kërkesave pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por ligjvënësi duhet të autorizojë Agjencinë që të shqyrtojë të gjitha ankesat e paraqitura para datës 30 qershor, të cilat janë 8 mijë dhe nuk u shqyrtuan dot në afat. Ne duhet të autorizojmë me ligj Agjencinë që ankesat e ardhura para datës 30 qershor dhe që kanë mbetur pa u shqyrtuar të marrin përgjigje në mënyrë që Agjencia të shkojë drejt shuarjes së saj natyrale, përmbushjes së detyrimit dhe ndërprerjes së aktivitetit të saj”, - është shprehur Berisha.

Shtyhet afati i ndarjes së fondit financiar të ish-pronarëve për vitin 2009

Burime nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë bërë të ditur dje se shpërndarja e fondit të akorduar nga buxheti i shtetit për vitin 2009 do të realizohet më 15 nëntor të këtij viti. Shtyrja për afro një muaj e afatit vjen për shkak të shtesës së fondit të akorduar nga qeveria për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Burimet bëjnë të ditur se AKKP-ja është në pritje të përcaktimit të vendimit nga ana e Ministrisë së Financave për mënyrën e përdorimit të këtij fondi. Në buxhetin shtesë të qeverisë, AKKP-së i shkonte buxheti i kompensimin financiar në masën 1.7 miliardë lekë nga 600 milionë lekë që ishin në fillim. Pranë AKKP-së kanë aplikuar gjithsej 521 subjekte të shpronësuara, të cilat presin të përfitojnë nga kompensimi financiar. Nga ky proces do të përfshihen edhe këta persona që janë skualifikuar paraprakisht nga procesi fillestar për ndarjen e 600 milionë lekëve. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare të numrit të përfituesve, mendohet që me shtimin e fondit ky numër mund të shkojë në rreth 200 ish-pronarë. Sipërfaqja maksimale e përfitimit është deri në 200 metra/katrorë. Nga AKKP-ja është përfunduar vlerësimi i kërkesave të subjekteve të shpronësuar për përfitimin nga fondi.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›