E Diel, 1 Nëntor 2026

Rastet kur kandidatët rrezikojnë të skualifikohen gjatë aplikimit

Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton rastet kur aplikimi “digjet”. Zbardhen 15 rregullat që duhet të ndiqen për t’u regjistruar saktë

Jonida Tashi

Gabimi më i vogël në aplikimin për Lotarinë Amerikane bën që kandidati të skualifikohet ndoshta edhe që në fazat e para të procesit. Për të evituar këto gabime, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) bën të ditur se cilat janë rregullat që duhet të ndiqen si dhe rastet kur një aplikim “digjet”. Pikësëpari, Departamenti Amerikan i Shtetit
sqaron se në rast se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ. Për këtë arsye, ju mund të përgatisni regjistrimin për veten tuaj, ose mund që edhe dikush tjetër ta regjistrojë atë për ju. Mbas regjistrimit të suksesshëm, ju do të lexoni në ekran emrin tuaj dhe një numër unik identifikimi. Ju mund ta stamponi (printoni) këtë konfirmim për të dhënat tuaja. Duke filluar nga data 1 korrik 2010, ju mund të lexoni statusin e regjistrimit tuaj në internet, duke vendosur numrin unik të identifikimit tuaj dhe informacionin tuaj personal.
Regjistrimi
Po ashtu, në aplikimin për Lotarinë Amerikane është e rëndësishme që të gjitha fotografitë e kërkuara të regjistrohen. Regjistrimi juaj do të skualifikohet në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen. Sakaq, fotografitë e kohëve të fundit duhen regjistruar elektronikisht për secilin nga pjesëtarët e familjes tuaj: fotografia juaj; e bashkëshortit/es tuaj; e çdo fëmije të pamartuar nën moshën 21 vjeç, duke përfshirë të gjithë fëmijët e natyrshëm, gjithashtu edhe fëmijët e adoptuar ligjërisht apo fëmijët e bashkëshortit/es, edhe në qoftë se një fëmijë është shkëputur nga banimi me ju ose nuk dëshiron të emigrojë me ju. Nuk është e nevojshme të regjistroni një fotografi për fëmijët tuaj me shtetësi amerikane ose me rezidencë të përhershme ligjore. Fotografi në grup nuk do të pranohen; duhet të keni vetëm një fotografi vetjake për çdo pjesëtar të familjes.
Fotografitë
Nëse dështoni të regjistroni fotografitë e kërkuara për bashkëshorten dhe secilin fëmijë do të rezultojë si regjistrim i papërfunduar në sistemin e regjistrimit të aplikimit, do t’ju duhet të riregjistroheni. Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju të intervistoheni për vizë. Një fotografi dixhitale e juaja, e bashkëshortit/es tuaj dhe secilit fëmijë duhet regjistruar në internet së bashku me Formularin Elektronik të DV-2011. Fotografia mund të prodhohet nga një aparat fotografik elektronik dixhital, ose duke e skanuar fotografinë me një skaner elektronik dixhital. Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, janë manipuluar ose nuk përmbajnë specifikimet e shpjeguara më poshtë.

Gabimet që ju skualifikojnë

Në qoftë se ka më shumë se një regjistrim për një individ, atëherë të gjitha regjistrimet në emër të këtij individi do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka regjistruar këtë individ.

Në qoftë se nuk plotësoni formularin plotësisht, ose me gabime, aplikanti do të skualifikohet.

Në qoftë se fotografitë e kërkuara nuk regjistrohen, regjistrimi juaj do të skualifikohet.

Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju të intervistoheni për vizë.

Në qoftë se nuk përfshini bashkëshortin/en, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.

Në qoftë se nuk i përfshini të gjithë fëmijët, që janë të pranueshëm, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.

Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, janë manipuluar ose nuk përmbajnë specifikimet e duhura.

15 rregullat për regjistrimin elektronik
Kujdes! Mos shkruani germat shqip “ç”, “ǔ “ë”, “˔, por zëvendësojini me ato me “C” “c” “e”, “E”. Formularët e aplikimit për DV-2011 do të pranohen të plotësuara vetëm nëpërmjet internetit elektronikisht në faqen http:/www.dvlottery.state.gov. Në qoftë se nuk plotësoni formularin plotësisht, ose me gabime, aplikanti do të skualifikohet. Formulari i regjistrimit do t’ju kërkojë që të përfshini informacionin e mëposhtëm:
1. Emri i plotë - Mbiemri, emri, emri i mesit (jo i babait);
2. Data e lindjes - Data, muaji, viti;
3. Gjinia - Mashkull ose femër;
4. Qyteti i lindjes;
5. Shteti i lindjes;
6. Shteti i pranueshëm ose i kualifikueshëm për programin e Lotarisë DV-2010 - Vendi juaj i pranueshëm normalisht do të jetë i njëjtë me atë të lindjes. Kjo nuk ka lidhje me shtetin ku ju banoni.
7. Fotografia e regjistrimit - Sigurohuni që të përfshini fotografinë tuaj, të bashkëshortit/es dhe secilit prej fëmijëve.
8. Adresa e postës - Në kujdes të... rruga, lagjja, numri i pallatit ose shtëpisë, ose fshati/komuna, qyteti, shteti.
9. Numri i telefonit - Jo i detyrueshëm.
10. Adresa e postës elektronike (e-mail) - Shkruani një adresë të postës elektronike (e-mail) në të cilën ju keni akses të plotë dhe direkt. Ju nuk do të merrni një mesazh zyrtar përzgjedhjeje në këtë adresë. Gjithsesi, nëse aplikimi/hyrja juaj përzgjidhet dhe ju i përgjigjeni letrës zyrtare të marrë nga Qendra Konsullore në Kentaki (QKK), ju mund të merrni një mesazh komunikimi nga ata me e-mail.
11. Cili është niveli më i lartë i edukimit që keni arritur deri në këtë ditë? - Ju duhet të tregoni një nga nivelet e edukimit që ju përket: (1) Vetëm shkollë fillore; (2) Shkollë të mesme, i/e padiplomuar; (3) Shkollë të mesme, i/e diplomuar; (4) Shkollë profesionale; (5) Disa kurse universitare; (6) Universitet, i/e diplomuar; (7) Disa kurse me nivel pasuniversitar; (8) Master, i/e diplomuar; (9) Disa kurse me nivel doktorature; (10) Doktoraturë, i/e diplomuar.
12. Gjendja civile - I pamartuar, i martuar, i ndarë, i/e ve, ligjërisht i/e ndarë;
13. Numri i fëmijëve - Regjistrimet duhet të përfshijnë emrin, datën dhe vendin e lindjes të bashkëshortit/es tuaj dhe të gjithë fëmijëve natyralë, si dhe të gjithë fëmijëve ligjërisht të adoptuar ose të bashkëshortit/es, që janë të pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç (përveç fëmijëve që kanë shtetësi amerikane, ose që kanë rezidencë ligjore të përhershme), edhe në qoftë se ju nuk jeni më i martuar ligjërisht me prindin e fëmijës, edhe në qoftë se bashkëshortja apo fëmija nuk banojnë me ju apo nuk do të emigrojnë me ju, duhen përfshirë. Vini re se fëmijët e martuar dhe fëmijët mbi moshën 21 vjeç nuk mund të përfshihen, sepse nuk kualifikohen për programin e Lotarisë Amerikane DV-2011. Në qoftë se nuk i përfshini të gjithë fëmijët, që janë të pranueshëm, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
14. Informacioni mbi bashkëshortin/en - Emri, data e lindjes, gjinia, qyteti i lindjes, vendi/shteti i lindjes, fotografia. Në qoftë se nuk përfshini bashkëshortin/en, do të rezultojë në skualifikimin e aplikantit principal dhe refuzimin e vizës për të gjithë pjesëtarët e familjes që aplikojnë në kohën e intervistës për vizë.
15. Informacioni mbi fëmijët - Emri, data e lindjes, gjinia, qyteti i lindjes, vendi/shteti i lindjes, fotografia: Përfshini të gjithë fëmijët e deklaruar në pikën 14.

Udhëzimet për të regjistruar një fotografi dixhitale

Fotografia duhet të jetë një imazh dixhital ose e skanuar dhe duhet të ketë këto specifikime, ndryshe aplikimi nuk do të pranohet:
Specifikimet e përbëra të fotografisë
Pozicioni i kokës:
Personi që fotografohet duhet të jetë me fytyrë drejt aparatit;
Koka e personit nuk duhet të jetë e vendosur lart, poshtë ose anash;
Koka e personit duhet të mbulojë rreth 50% të sipërfaqes së fotografisë.
Sfondi:
Personi që fotografohet duhet të jetë përpara një sfondi të bardhë të shndritshëm;
Fotografi me sfond të errët ose me ngjyra të ndryshme nuk do të pranohen.
Epiqendra (fokusi):
Fotografia duhet të jetë në qendër.
Sendet dekorative:
Fotografitë, të cilat, personi që fotografohet mban syze dielli, apo sende që zvogëlojnë sipërfaqen e fytyrës, nuk do të pranohen.
Mbulimet e kokës dhe kapelat:
Fotografi ku aplikanti ka vendosur shami apo kapelë pranohen vetëm për shkak të besimit fetar, edhe në qoftë se ndodh një gjë e tillë, fytyra nuk duhet mbuluar;
Fotografitë ku aplikanti ka mbuluar fytyrën, jo për shkak të besimit fetar, nuk do të pranohen;
Fotografitë ku aplikanti ka vendosur kapele për shkak të detyrës (ushtarak, infermier etj.) nuk do të pranohen.
Përbërja e fotografisë:
Fotografitë me ngjyra me thellësi “24-bit” janë të preferuara. Fotografitë mund të shkarkohen nga një aparat fotografik dixhital në kompjuter ose ato mund të skanohen në kompjuter. Në qoftë se ju përdorni një skaner, përbërja e fotografisë duhet të jetë “TrueColor”ose “4-bit”. Fotografitë me ngjyra ose bardhezi duhet të skanohen me këtë përbërje për kërkesat e DV-2011.

Specifikimet teknike të fotografisë
Në qoftë se aplikanti bën një fotografi të re me anë të një aparati dixhital:
Lloji i Formatit të Fotografisë Fotografia duhet të jetë e formatit JPEG
Madhësia e Fotografisë Maksimumi i madhësisë së Fotografisë duhet të jetë jo më shumë se 240 KB
Rezolucioni i Fotografisë 600 pika (pixels) e Lartë me 600 pika (pixels) e Gjerë
Thellësia e Ngjyrave të Fotografisë Ngjyra 24-bit (Shënim: Fotografi bardh-e-zi, monokrome ose nën 2-bit, 8-bit ngjyra, 8-bit stil gri nuk do të pranohen)

Në qoftë se aplikanti skanon një fotografi me skaner dixhital:
Përpara se fotografia të skanohet ajo duhet të ketë këto specifikime të stampimit (printimit):
Përmasat e Stampimit (printimit) 50mm x 50mm katrore
Ngjyrat e Stampimit (printimit) Fotografia mund të jetë me ngjyra (e preferuar) ose 24-bit stil gri

Mbas stampimit (printimit), fotografia duhet të ketë këto specifikime të skanimit:
Rezolucioni i Skanimit Të skanohet me rezolucion 150 dots per inch (dpi)
Lloji i Formatit të Fotografisë Fotografia duhet të jetë e formatit JPEG
Madhësia e Fotografisë Maksimumi i madhësisë së Fotografisë duhet të jetë jo më shumë se 240 KB
Rezolucioni i Fotografisë 600 me 600 pika (pixels)
Thellësia e Ngjyrave të Fotografisë Ngjyra 24-bit (Shënim: Fotografi bardh-e-zi, monokrome ose nën 2-bit, 8-bit ngjyra, 8-bit stil gri nuk do të pranohen)

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›