E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Qeveria, pasi na shiti detin, po përvetëson rërën dhe bregdetin”



Partia Socialiste ka reaguar sërish në lidhje me projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, propozuar Kuvendit për miratim nga ana e qeverisë. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se në kushtet kur kryeministri Berisha kishte refuzuar të bënte publik emrat e familjarëve dhe ministrave të tij, të cilët përfitojnë tokat në bregdet, Partia Socialiste është e detyruar t’i publikojë ato. Sipas Ballës, nga ky projektligj përfitojnë toka në bregdet vajza e kryeministrit, kunata e kryeministrit, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ministri i Financave Ridvan Bode dhe ministri i Shtetit, Genc Pollo. Balla akuzoi qeverinë se pasi u shiti detin grekëve, tashmë po përvetëson edhe bregdetin shqiptar. “Më lejoni t’ju shpjegoj se sipas këtij projektligji, përfituesit e këtij ligji hipotekojnë në pronësinë e tyre jo vetëm tokën ku kanë ngritur vilat, por edhe oborret, madje edhe rërën e bregdetit. Pra qeveria që na shiti detin, tashmë po përvetëson edhe rërën dhe bregdetin. Kam këtu deklaratat e pasurisë sipas formularëve zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Familja kryeministrore: vajza dhe kunata, ministri i Brendshëm i familjes, Lulzim Basha, ministri i Financave, ministri i Shtetit. Mund t’ju them se lista vazhdon e gjatë edhe me ministra të tjerë të oborrit, zëvendësministra e të të tjerë e të tjerë zyrtarë. Pra duket qartë se ky ligj nuk synon të adresojë zgjidhjen e çështjes së pronësisë së tokave të zaptuara në bregdet, por të hipotekojë vilat e familjes dhe të ministrave”, - tha Balla.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›