E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile: Evakuohen 9 persona të bllokuar në Theth

Pas bllokimit të aksit rrugor Breg Lumi – Theth për shkak të motit të keq, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile ka konfirmuar lajmin se të gjithë banorët dhe familjet e bllokuara në zonën e Nderlysaj (Theth) janë evakuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në aksin, i cili u bllokua plotësisht pas shembjes së një masivi inertesh rreth urës së fshatit Gimaj, kishin mbetur të izoluar 5 mjete dhe 9 persona.

Angazhimi i autoritetve

Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, njoftoi në rrjetet sociale se Bashkia ishte angazhuar menjëherë me të gjitha kapacitetet. Makineritë e rënda dhe fadromat u vunë në punë për lirimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile u dërgua në vendngjarje për të garantuar sigurinë e të bllokuarve dhe për të kryer evakuimin.

Strukturat po punojnë me intensitet për të normalizuar sa më parë qarkullimin. Bashkia e Shkodrës vijon të marrë masat për lirimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit në transport.

Autoritetet sërish u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet në zonat e rrezikuara derisa të përmirësohen kushtet atmosferike dhe të rikthehet siguria e plotë në rrugë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›