Inflacioni në muajin dhjetor, 1 për qind më i lartë se në nëntor
INSTAT: Çmimet në dhjetor të vitit 2009, 1.6 për qind më të larta se në 2007 Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë periudhës së fundvitit ka bërë që të ngrihet dhe niveli i inflacionit në vend. Çmimet në muajin dhjetor u rritën ndjeshëm duke bërë që norma e inflacionit të arrijë në 3.5 për qind. Instituti i Statistikave ka konfirmuar se gjatë muajit të kaluar shqiptarët u përballën me rritje çmimesh për produktet ushqimore, konkretisht u rrit grupi i zarzavateve. Muaji dhjetor përkon me festat e fundvitit çka shoqërohet me një rritje artificiale
të çmimeve për frutat, perimet dhe pijet. Por niveli i inflacionit 3.5 për qind konsiderohet shqetësues, pasi objektivi është që ai të jetë në normën 3 për qind. Niveli i çmimeve të shtrenjta duket se do të mbetet në të njëjtat nivele edhe gjatë muajit janar, pasi në këtë periudhë ka nisur edhe aplikimi i tarifave të rritura të energjisë elektrike. Tarifat e reja pritet të ndikojnë negativisht në ekonomi, pasi rriten kostot e produkteve dhe shërbimeve. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2009, arriti 105.8 për qind kundrejt muajit dhjetor të vitit 2007, duke shënuar një rritje prej 1.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin dhjetor është 3.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind. Indeksi i grupit Ushqime dhe pije jo alkoolike, shënoi një rritje prej 3.7 për qind, me një ndikim prej 1.5 përqind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 22.2 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. Këtu mund të përmendim rritjen me mbi 50 për qind të çmimit të kastravecëve, rritjen e çmimit të patëllxhanëve me 40.1 për qind, domateve me 37.5 përqind, specave me 33.2 përqind, lulelakrës me 13.6 përqind, etj. Çmimet e nëngrupit fruta shënuan një rritje prej 2.9 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të, dardhave me 7.5 për qind, mollëve me 3.2 për qind, bananeve me 0.9 për qind, frutave të thara me 0.8 për qind, etj, ndërsa çmimet e limonëve dhe portokallëve shënuan një ulje respektivisht 17.4 dhe 12.1 për qind. Gjatë muajit Dhjetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, pije jo alkoolike me 1.8 për qind, sheqer, reçelra, mjaltë etj, me 1.5 për qind, peshk 1.4 për qind, mish 0.8 për qind, vajra dhe yndyra 0.8 për qind, etj. Ndërsa indeksi i grupit Qera ujë lëndë djegëse dhe energji, shënoi një rritje prej 0.4 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 1.8 për qind, dhe druve të zjarrit me 0.6 për qind. Kurse indeksi i grupit Transport shënoi një rritje prej 0.4 për qind. Gjatë muajit dhjetor çmimit e karburanteve shënuan një rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.1 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga minus 0.1 për qind në plus 0.1 për qind. Rritja e çmimeve të këtyre produkteve gjatë muajit dhjetor ka ardhur si shkak i prekjes së vendeve furnitore të Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje rreth një muaj më parë ekspertët e Doganës së Përgjithshme, u shprehën për gazetën SOT, se tregjet shqiptare kanë pasur një luhatje të lehtë rritjeje krahasuar me vitin e kaluar, pasi aktualisht në tregun e ushqimeve mbizotërojnë produktet vendase, por dihet se tashmë këto janë drejt fundit dhe do të jetë i domosdoshëm furnizimi me mallra nga jashtë. Sipas tyre kjo rritje e çmimeve tek konsumatori shqiptar do të ndihet edhe më shumë, pasi në Shqipëri mallrat e importit kalojnë nga tregjet e shumicës në ato të pakicës, ku tregtarët e shumicës duke pasur monopolin e tregtimit të këtyre produkteve, mund ti rrisin edhe më shumë këto çmime. Kjo vjen dhe për faktin e mungesë së prodhimit vendas, ku tregjet shqiptare gjatë muajit dhjetor të vitit 2009 janë furnizuar me mallra importi, ku më shumë në sy binin mallrat e ardhur nga Italia dhe Greqia, që njihen dhe si dy furnizuesit kryesorë të vendit tonë.Taulant Halili
Last Updated on E Premte, 08 Janar 2010 21:25