E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters”, reportazh për turizmin në Shqipëri

Turizmi dhe infrastruktura e shpërblyen Shqipërinë, mbi 2 milionë turistë në 6 muaj


Fokusi tek turizmi dhe investimet në infrastrukturë, kanë shpërblyer Shqipërinë me një numër të madh turistësh që kanë vizituar vendin këtë sezon veror. Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” në reportazhin e saj për turizmin në Shqipëri, thotë se turizmi shqiptar ka pësuar një rritje të madhe vizitorësh të huaj. Vetëm në tre javët e para të gushtit në vend janë futur mbi 600 mijë turistë, ndërsa sipas të dhënave të qeverisë shqiptare që nga Janari deri në Korrik të këtij viti janë futur në vend 1.8 milionë turistë, shumica nga Kosova, por edhe të huaj që për pushimet e tyre verore kërkojnë jo vetëm të shpenzojnë pak, por dhe bukuri përrallore. Një prej destinacioneve më të preferuara të këtyre të fundit është padyshim Dhërmiu, ku të gjithë mund të shijojnë brigjet e pastra dhe rërën dhe gurët e bardhë. “Vajza ime ishte në Dhërmi vitin e shkuar dhe më tha: Babi, ti duhet të shkosh patjetër sepse është shumë bukur, qyteti është i bukur dhe plazhi i mrekullueshëm. Kjo është më se e vërtetë. Bukuritë natyrore këtu janë të pabesueshme, megjithatë infrastruktura ka nevojë për përmirësim. Ia vlen të theksohet se Shqipëria është në rrugën e duhur”, deklaron Ben Hanxhari. Drilon Kikaj dhe Ardian Talla, qytetarë amerikanë me origjinë nga Kosova thonë se ajo çka i tërheq tek Shqipëria janë çmimet e ulëta dhe plazhet e mrekullueshme. Ndërsa Driton Kikaj dhe Ardian Talla shprehen se, “Këtu paguan shumë më pak se ç’duhet të paguash për shembull në Greqi që është pak kilometra larg. Dhe plazhi është i mrekullueshëm, ka të njëjtën ngjyrë që e gjen vetëm në Hawai ose në vende të ndryshme të botës, por jo në rajon”. “Reuters” vlerëson investimet e mëdha të viteve të fundit të Shqipërisë në infrastrukturë siç është edhe autostrada që lidh portin e Durrësit me Kosovën e cila ka përmirësuar ndjeshëm mundësitë për të prekur nga afër brigjet shqiptare. Kjo rrugë ka reduktuar edhe kohën që zakonisht duhej për të kaluar nga Prishtina për në Shqipëri. Ndërsa tani kosovarët mund të pushojnë në brigjet shqiptare edhe gjatë fundjavave. Dikur udhëtimi zgjaste 10 orë dhe një gjë e tillë ishte thuaj e pamundur para se autostrada të ndërtohej. Ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferaj thotë për agjencinë e lajmeve se në 2010-ën, numri i turistëve mund të kalojë numrin e banorëve të Shqipërisë që arrin në mbi tre milionë. “Arsyeja kryesore që qëndron pas kësaj shifre historike, është së pari, imazhi i përmirësuar i vendit tonë falë anëtarësimit në NATO dhe përafrimit me Bashkimin Europian. Së dyti, infrastruktura e përmirësuar dhe investimet- vetëm kohët e fundit janë investuar mbi një miliard euro për të ndërtuar rrugët që lidhin destinacionet turistike, arkeologjike, historike dhe plazhet e bukura të vendit tonë”, shprehet minsitri Xhaferaj pr “Reuters”. Këto të fundit kanë bërë që në pikën kufitare të Morinës radhët për t’u futur në Shqipëri të jenë të gjata. “Kjo është toka jonë, nuk ka vend më të mirë në botë. Unë preferoj Shqipërinë dhe për këtë kam udhëtuar më shumë se 3000 km për ta parë atë. Nuk ka asnjë vend tjetër ku unë do të doja të isha”, deklaron më tej Enver Avdia. Eliza Lazareto është një turiste italiane që përveç bukurive të vendit tonë ka vënë re edhe përmirësimet e ndjeshme në Shqipëri vetëm gjatë këtij viti. “Duke e krahasuar me vitin e shkuar, Shqipëria ka ndryshuar shumë, është e pasur me bukuri natyrore dhe ka një plazh shumë të pastër. Pavarësisht trafikut në rrugë, mendoj se ofron shumë gjëra të mira ndaj unë vij shpesh këtu për pushime”, shprehet Eliza Lazareto. “Reuters” nënvizon se kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kabinetit të tij të ketë si prioritet turizmin dhe investimet në infrastrukturë, dhe këto dy objektiva duket se po e shpërblejnë më së miri këtë vend ballkanik. Dardan Islami është një pronar biznesi dhe nga të shumtët që ka parë rezultate të kënaqshme nga këto arritje të vendit. Dardan Islami, shprehet midis t tjerave se, “Për fat të mirë këtë vit kemi një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve”. Shqipëria prej kohësh është kthyer në destinacionin e preferuar por edhe të këshilluar për turistët e huaj. Përmirësimi i imazhit të saj falë arritjeve të mëdha të kohëve të fundit, ka bërë që agjencitë e shumta turistike dhe mediatike të botës ta cilësojnë vendin tonë si një gur të çmuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›