Reagimi i LSI-së: Ngërçi politik, të zbatohet drafti i ndërkombëtarëve - reforma zgjedhore s’duhet të vonojë

“Edi Rama lexon së prapthi rezolutën e PE, dokumenti - thirrje për dialog jo për shkelje të ligjit”
Mazhoranca qeverisëse i kërkon edhe njëherë publikisht Partisë Socialiste të angazhohet korrektësisht në zbatimin e rezolutës së europarlamentarëve, ndërsa thekson se interpretimi i saj si detyrim për të hapur kutitë, është një lexim i gabuar. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama deklaroi gjatë një konference për shtyp se transparenca e zgjedhjeve bëhet duke u ulur në tryezën e diskutimeve, dhe jo nga konferencat e shtypi. “Transparenca e zgjedhjeve nuk bëhet nga konferencat e shtypit, por me projektin konkret, me ndryshmin konkret në kodin zgjedhor, me ligjin konkret që e bën të mundur dhe vendos projekt të standardit evropian mbi baza ligjore dhe jo mbi baza voluntaristë, dhe mbi baza të pasionit politik. Për të reflektuar dhe për të ofruar në këtë tryezë draftin e vet, projektin e vet dhe mënyrën se si konkretizohen ato ç’ka kërkon rezoluta e parlamentit evropian. Kam përshtypjen që në atë mënyrë se si është shfaqur lidershipi socialist, dëshmon se e ka lexuar së prapthi rezolutën dhe kërkon të përligj në fund të fundit dështimin e të gjithë aksionit politik që ajo ndërtoi mbi atë që të gjithë tashmë e njohin si transparencë e zgjedhjeve. Prandaj duke mos neglizhuar asnjë sensibilitet LSI i fton palët te kjo hulli e kontributeve të përbashkëta, e dialogut produktiv që nuk i shtyn dhe palët për të reflektuar në mënyrë të përgjegjshme ndaj rezolutës të parlamentit evropian, por që del përpara shqiptarëve me seriozitetin që meriton shoqëria shqiptare dhe qytetari shqiptarë. Seriozitet do të thotë, drafti është ky, projekti është ky, zgjidhja që ne ofrojmë është kjo dhe hajde të ulemi të gjejmë zgjidhjen e mundshme”, u shpreh Luan Rama. Sipas tij, në vlerësimin e LSI domosdoshmëria e zbatimit të rezolutës së Parlamentit Evropian është një çështje prioritare. Ai i bëri thirrje PS-së të jetë pjesë e angazhimit për të realizuar rezolutën e Parlamentit Evropian dhe nisur nga puna gjatë sesionit të ri parlamentar për hartimin e reformës zgjedhore. “Në të janë të shprehura qartë, saktë dhe pa ekuivoke detyrat që duhet të përmbushen me qëllim që vendi të mos jetë jo vetëm pre e trilleve politike që burojnë, apo interesave që s’kanë të bëjnë me interesat e vendit. Por përkundrazi të gjithë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë ata parlamentarë, të japin kontribute pozitive dhe të dëshmojnë kështu realisht që janë në kahen e interesave të vendit që janë rrjedhën e zhvillimeve evropiane të vendit dhe që realisht duan të jenë pjesë e këtij kontributi që lidhet me këto interesa madhore”, tha ai. Zyrtari i lart i LSI-së ngulmoi se klasa politike duhet t orientohet drejt hartimit të reformës zgjedhore për të përmirësuar tërësinë e korpusit ligjor mbi të cilat zhvillohen zgjedhjet të gjitha sensibiliteteve.
...