Qarkullimi rrugor në qendër të Tiranës, nuk ofron asgjë për përdoruesit e saj

Policia: Aksidentet, pasojë e mungesës së sinjalistikës
Punimet e vazhdueshme, ndërhyrjet e pastudiuara në infrastrukturë si dhe të pabazuara në standarde, shkaktojnë probleme në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mjeteve në kryeqytet, si dhe sjellin pasoja negative në sigurinë rrugore. Në një reagim për mediat, Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Shkëlzen Aliaj deklaron se qarkullimi rrugor në qendër të Tiranës, nuk ofron asgjë për përdoruesit e saj. “Në unazë mungojnë vijat e bardha. Problem mbetet dhe inxhinjerimi, vendosja e sistemeve të sigurisë, sinjalistikës rrugore, xhepat për autobusët, orientimi i drejtuesve të automjeteve për lëvizjet e kalimtarëve si dhe të gjithë elementëve të tjerë, i gjithë sistemi i trafikut nuk funksionon. Janë shumë aktorë, që vetëm përmes një pune të koordinuar dhe një plani të studiuar, do të çojnë në rezultatin e dëshiruar. Nuk kemi korsi të kthimit majtas, një kombinim në funksion të sigurisë të sinjalistikës horizontale me atë vertikale, nuk kemi asnjë semafor të mirëmatur për hyrjet dhe daljet në trafik, nuk ka një kombinim të sinjalistikës së kthimit majtas dhe ruajtjes së korsive drejtvizore në të gjitha akset rrugore, elementë këto të domosdoshëm teknik që lenë shumë për të dëshiruar”, u shpreh drejtuesi i lart i Policisë. Në rolin e drejtuesit të parë të sigurisë rrugore, Aliaj sqaron pozicionin e policit rrugor ndërsa thyhen rregullat e qarkullimit nga automjetet e rënda që kanë orare të caktuara për të lëvizur e që jo në pak raste janë bërë burim aksidentesh. “është e përcaktuar në Kodin Rrugor që nëse ky mjet qarkullon me nj autorizim nga enti pronar, bashkia, atëherë polici është i pafuqishëm për ta ndalur”, tha ai. Shqetësimi i drejtuesit të lartë të policisë rrugore për sigurinë e lëvizjes në rrugë, pason atë të ngritur për disa ditë me radhe nga specialistë të pavarur dhe qytetarë të ndryshëm që i kërkojnë bashkisë që të zbatojë ligjin dhe mos lejojë cenimin e jetës së tyre nëpër rrugët e kryeqytetit.
...