E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstremistët të qendrojnë larg, të dy qeveritë e dënuan si të papranueshëm incidentin

Ministri i Jashtëm grek, Droutsas, u jep fund pretendimeve famëkëqija për përplasje etnike në Himarë


Qeveria greke i bën me dije opinionit publik në Greqi se me palën shqiptare nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim, lidhur me incidentin e fundit në Himarë, ku si pasojë e një aksidenti rrugor mbeti i vdekur shtetasi shqiptar, Aristotel Gumi. Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm Plotësues, Dhimitris Droutsas, gjatë një interviste që ai dha për radion 1 në Athinë. Ai u pyet lidhur me zhvillimet e fundit në raport me Shqipërinë dhe u ndal në ngjarjen e Himarës. “Janë disa fenomene që po ndjekim kohët e fundit të cilat kanë acaruar pak gjërat, sidomos me vrasjen e një bashkëkombësi tonin në Shqipëri për shkaqe që nuk u shkojnë mendjes përshtat”, deklaroi Droutsas, duke iu referuar dyshimeve se vrasja e Aristotel Gumës erdhi pas një konflikti pse ai fliste në gjuhën greke. Duke mbetur në këtë argument, ministri i Jashtëm plotësues grek tha se “ne që nga fillimi kemi shprehur keqardhjen tonë për këtë incident” dhe shtoi se “unë nuk e fsheh, ka një shqetësim”. “Dhe që nga momenti i parë ne kemi dërguar opinionin tonë të prerë në Qeverinë e Shqipërisë. Nuk duhet të lejojmë incidente të tilla, të cilat dua të shpresoj që janë të izoluara dhe nuk do të ngjasin më. Gjithashtu, ne nuk duhet të lejojmë që ngjarje të tilla të mund të shfrytëzohen nga disa, mund të them, - forca dhe ide ekstremiste, - për të krijuar një klimë tensioni me shtetasit shqiptarë që jetojnë në vendin tonë. Kërkoj shumë vëmendje shumë për këtë argument”, deklaroi ai. Më tej Droutsas iu referua dhe reagimit që përçoi qeveria shqiptare duke e vlerësuar atë. “Edhe Qeveria e Shqipërisë, unë dua ta theksoj këtë që të mos ketë keqkuptime, se dhe pikërisht Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha doli me një deklaratë publike ku dhe ai me të njëjtën mënyrë si ne, prerazi, dënoi këtë incident”, vuri në dukje më tej, ministri i Jashtm Plotsues i Greqis. Droutsas ka garantuar edhe një herë mbështetje të plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai pohoi se është në interesin e Greqisë që kjo të ndodhë dhe shpjegoi arsyen. “është në interesin tonë të kemi fqinjësi me vende të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, sepse kështu të gjitha këto shtete, do të respektojnë normat e vendosura nga Bashkimi Evropian”, tha m tej zyrtari i lart grek, Dhimitris Droutsas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›