Agjentët turistikë: Çmimet e ulëta, fundviti i shqiptarëve drejt rajonit
Qytetarët shqiptarë po krijojnë traditën e festimit të ndërrimit të viteve jashtë kufijve. Agjentët turistikë në kryeqytet tregojnë për MAPO-n se kanë nisur prenotimet si për udhëtime individuale, ashtu edhe në grup për në vendet e rajonit dhe Europë. Ata e argumentojnë këtë fluks udhëtimesh jashtë vendit për festat e fundvitit me çmimet e ulëta për sa i përket krizës në eurozonë.
Shqiptarët i drejtohen rajonit për të festuar festat e fundvitit. Qytetarët e Tiranës kanë nisur të frekuentojnë që prej ditësh agjencitë turistike më të besuara prej tyre, për të gjetur ofertat më të leverdishme për të udhëtuar jashtë kufijve për natën e ndërrimit të viteve. Kriza në eurozonë, luhatja e këmbimit valutor dhe zhvlerësimi i euros, çmimet më të lira të paketave turistike, sipas agjentëve dhe operatorëve turistikë kanë ndikuar në rritjen e kërkesave të qytetarëve shqiptarë për t’i kaluar ditët e fundit të 2011-ës në rajon dhe Europë. Agjentët turistikë thanë dje për MAPO-n se, duke u nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme, pavarësisht se nuk mund të japin ende një statistikë të qartë, ka më shumë kërkesa se një vit më parë nga qytetarët për të kaluar fundvitin jashtë kufijve. Sipas tyre, kërkesat më të mëdha janë për vendet e rajonit: Mali i Zi dhe Maqedoni, ku ofertat variojnë për në Dubrovnik nga 139 euro për person për natën e Vitit të Ri, ku përfshihet akomodimi dhe mëngjesi e darka e festës;199 euro dy net; 269 euro tri net, ku përfshihet edhe nata e ndërrimit të viteve. Ndërsa për në Mavrovë të Maqedonisë, ata që kanë zgjedhur këtë paketë, kanë paguar 160 euro për person dy net fjetje, me mëngjesin të përfshirë plus 50 euro për darkën e ndërrimit të viteve. Për sa u përket paketave në grup drejt Europës, qytetarët kanë preferuar të zgjedhin destinacionet: Paris, Pragë, Romë-Firence për të festuar Krishtlindjet. Për destinacionin e Parisit, ata kanë paguar 499 euro për tri net; për Pragën 479 euro për tre net, dhe për destinacionin Romë- Firence 429 euro për person për tri net. Sipas agjentëve turistikë, kategoritë që kanë zgjedhur të festojnë jashtë kufijve festat e fundvitit janë çifte të rinj dhe më pak të rinj, familjarët janë shumë të paktë. Për sa i përket Krishtlindjeve, ata që dominojnë të kenë prenotuar paketa turistike për në rajon dhe Europë janë grupe të rinjsh, të cilët studiojnë në Shqipëri dhe jashtë kufijve, por kanë vendosur të bashkohen dhe të festojnë jashtë Krishtlindjet. Ndërsa për sa i përket turizmit të brendshëm, agjentët turistikë në kryeqytet shprehen se për festat e fundvitit rrallë ndodh që të preferohen zonat malore të vendit. Sipas tyre, veriu i vendit preferohet për fundjava. Ndërsa turistët e huaj janë të paktë; ata që punojnë këtu dhe nuk munden të largohen për arsye pune ose turistë të rastit, pasi shtetasit e huaj i organizojnë herët pushimet e tyre, ndërsa hotelet shqiptare vuajnë për mungesë organizimi dhe koordinimi me agjencitë turistike për të përgatitur në kohë paketa turistike për të huajt.
Dubrovnik për Natën e Vitit të Ri
139 euro për person 1 natë
199 euro për person 2 net
269 euro për person 3 net
Udhëtime individuale
Bianca Resort, Kolashin, Mal i Zi – hotel me tri yje; 136 euro personi 2 net Krishtlindjesh
Alpina Hotel Mavrov, Maqedoni 99 euro personi, 2 net fjetje Krishtlindjesh
Udhëtime në grup
Dubrovnik- 24-26 dhjetor 119 euro/person
Paris 23-26 dhjetor 499 euro/person
Pragë 24-27 dhjetor 479/person
Romë-Firence 23-26 dhjetor 429 euro/person