Festat e fundvitit, çmimet e fruta-perimeve 30 lekë më shumë
Fenomeni i rritjes së çmimeve në vend vazhdon traditën e çdo fundviti, edhe pse tregtarët e justifikojnë me prodhimin e pakët vendas që gjendet në treg. Ata e pohojnë vetë rritjen e çmimeve me 10-30 lekë për çdo produkt, duke vazhduar të abuzojnë me konsumatorin shqiptar
Qytetarët shqiptarë që në javën e dytë të muajit dhjetor janë përballur me çmime më të rritura të fruta-perimeve. Tregtarët e pohojnë vetë faktin se ka ditë që çmimet e zarzavateve dhe frutave janë rritur me 10-30 lekë për kilogram. Nga një vëzhgim që bëri gazeta MAPO ditën e djeshme në tregjet e kryeqytetit është vënë re se të gjitha çmimet e fruta -perimeve janë rritur deri në 40 lekë. Ndër artikujt të cilët kanë pësuar rritje çmimi më të madhe janë kastravecët, kungujt, specat, mandarinat, sallata jeshile, lulelakra. Tregtarët e kundërshtojnë rritjen e çmimeve si traditë e fundvitit për shtimin e të ardhurave në arkën e tyre. Sipas tregtarëve, rritja e çmimeve vjen si pasojë e pakësimit të prodhimit vendas. “Prodhimi vendas është drejt fundit. Një pjesë e madhe e tij eksportohet drejt Kosovës dhe vendeve të rajonit. Atje tregtohet me euro. Janë këto një sërë arsyesh që ne jemi të detyruar të rrisim çmimet”,- u shpreh një tregtar fruta-perimesh. Ata e mohojnë faktin që çmimet po rriten për festat e fundvitit, pasi qytetarët janë të detyruar të blejnë për të mbushur tavolinën sipas traditës. “Po, çmimet janë rritur, por nuk i kemi rritur ne. Rritja vjen zinxhir. Prodhimi vendas po mbaron, kështu i thonë tim shoqi, i cili merr furnizimin”,- u shpreh një tregtare për MAPO-n. Nga vëzhgimi i gazetës MAPO në tregjet e kryeqytetit është vënë re se çmimi i mandarinave është rritur me 40 lekë; nga 50 lekë që kushtonin një javë më parë, aktualisht kushtojnë 90 lekë për kilogram, por në tregje të veçanta ato kushtojnë edhe 100 apo 110 lekë. Sallata jeshile kushtonte dje në tregjet e kryeqytetit 160-170 lekë për kilogram, nga 120 lekë që kushtonte një javë më parë. Një kilogram trangull kushtonte dje 180 lekë, nga 140 lekë që kushtonte një javë më parë. Ndërsa mollët, nga 55 lekë që kushtonin një javë më parë, tregtohen aktualisht me 70 lekë. Specat, të cilat kanë njohur rritjen më të madhe të çmimit në këtë javë janë rritur me 50 lekë; nga 150 lekë që kushtonin një javë më parë, ato tregtohen 200 lekë. Sipas tregtarëve pritet që çmimet të rriten ende deri në fundvit dhe jo sepse jemi në prag festash, por sepse prodhimi vendas po mbaron dhe mallrat e importit janë më të shtrenjta pasi paguhet edhe transporti. Në fakt, vendi ynë ka krijuar traditë prej disa vitesh, ndryshe nga vendet e tjera në botë ku në fundvit çmimet njohin ulje drastike, këtu çmimet rriten dyfish edhe më shumë. Pasi tregtarët janë po aq të bindur në një tjetër traditë, atë të bollëkut të tavolinave shqiptare veçanërisht për festën e ndërrimit të viteve; shqiptarët blejnë të gjitha asortimentet që kërkon një tavolinë e bollshme për t’u konsumuar deri në datën tre të vitit tjetër. Në këtë mënyrë, tregtarët përfitojnë nga rritja e çmimeve, duke e nisur rritjen gradualisht që në dy javët e para të muajit dhjetor dhe më pas duke arritur kulmin në datat 30 e 31, ku qytetarët bëjnë blerjet e fundit. Ose ata që punojnë deri ditët e fundit të vitit, i lënë blerjet për këto ditë dhe detyrohen të paguajnë për artikujt çmime më të shtrenjta. Por dy ditë më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha siguroi qytetarët se këtë fundvit nuk do të ketë abuzime me çmimet e produkteve ushqimore si vitet e kaluara, pasi do të ketë një Task- Forcë që do të kontrollojë në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e çmimeve.
Tabela e çmimeve
Ishin janë
Mandarinat 50 lekë/kg 90 lekë/kg
Sallata jeshile 120 lekë/kg 160 lekë/kg
Trangulli 140 lekë/kg 180 lekë/kg
Mollët 50 lekë/kg 70 lekë/kg
Specat 150 lekë/kg 200 lekë/kg
Domatet 80 lekë/kg 110 lekë/kg