Agolli: “Futbolli ynë është rritur”
Ansi Agolli është autori i golit të barazimit në miqësoren kundër Gjeorgjisë (1-1), njëherësh edhe rrjeta e fundit e shënuar nga Kombëtarja jonë, duke e shkruar emrin e tij në librin historik të atyre që kanë mundur të shënojnë me fanellën kuqezi.
“Goli është pjesë e lojës, por është gjithmonë një kënaqësi. Për mua ka më shumë rëndësi ekipi, që të ketë një ecuri sa më të mirë dhe rezultate”, - tha mesfushori i majtë i Krivbasit në kampionatin ukrainas.
Loja e Agollit me përfaqësuesen (11 ndeshje) ka ardhur duke u rritur, madje janë parë “dy Ansa” të ndryshëm, një i muajit mars, jo në formë, dhe një tjetër, ai muajit qershor, në maksimumin e tij kundër Portugalisë e Gjeorgjisë, ku ka shpërthyer në “zonën e tij”.
“Gjithmonë jam munduar të jap më të mirën edhe në ndeshjet e tjera të Kombëtares, ku kam pasur mundësi të luaj. Në ndeshjen kundër Portugalisë kemi luajtur të gjithë mirë. Kur luan ekipi, mobilizohesh dhe ti më shumë”.
Agolli kujton edhe atmosferën që i rezervuan “senatorët” e skuadrës, kur ai ishte porsa afruar te Kombëtarja. “Nuk kam pasur asnjë problem si nga lojtarët më të vjetër, si nga unë apo dhe nga futbollistët më të rinj që kanë ardhur pas meje”.
Trajneri Kuzhe ka thënë shpesh, që ka nevojë për një mesfushor të majtë dhe mbrojtës të majtë. “Roli im natyral është mesfushor i majtë, por normalisht që mundohem ta bëj dhe mbrojtësin e majtë sa më mirë. Për mua nuk ka ndonjë problem. Këtë e vendos trajneri”, - tha ish-lojtari i Tiranës.
Baza e re e Kombëtares vjen pikërisht nga ky kampionat, pasi janë pesë lojtarë të thirrur nga Kuzhe, portieri Isli Hidi, mbrojtësit Debatik Curri e Armend Dallku, si dhe mesfushorët Ansi Agolli e Ervin Bulku. Niveli i kampionatit ukrainas konsiderohet si i shtati më i fortë në botë, duke lënë pas kampionate të tilla si ai holandez dhe ai francez.
“Futbolli ukrainas është në rritje dhe besoj se kjo ndikon pozitivisht edhe te unë”, - thotë Agolli, i cili është në muajt e tij të parë në Ukrainë, pas eksperiencave në Zvicër (Nojshatëll Ksamaks, Lucern) e Finlandë (VPS).
Si një nga blerjet sezonale të Krivbasit, Agolli vlerëson edhe tre shqiptarët e tjerë të në ekip: Isli Hidin, Ervin Bulkun e Dorian Bylykbashin. “Ma kanë bërë më të lehtë përshtatjen me ekipin dhe ambientimin me qytetin e Krivit”.
Krivbasi nuk ka pasur një ecuri të mirë në katër javët e para të kampionatit, duke i humbur të gjitha takimet. Agolli ka argumentet e tij: “Nga ekipi i sezonit të kaluar kanë mbetur vetëm 3 lojtarë, Hidi, Bylykbashi e Bulku, të gjithë të tjerët e formacionit të parë janë të rinj. Për më tepër, që kemi luajtur kundër ekipeve më të mëdha në Ukrainë, si Dinamo e Kievit apo Shahtjor Donjeckut”.
Kush është Qipro
Qipro është një kundërshtar ndaj së cilës do të përballemi për herë të katërt, të gjitha miqësore. Federata Qipriote e Futbollit është themeluar në vitin 1934 (Shqipëria në vitin 1930). Në vitin 1948 bëhet anëtare e FIFA-s (Shqipëria në vitin 1932), ndërsa në UEFA anëtarësohet në vitin 1962 (Shqipëria në vitin 1954).
Në renditjen aktuale të FIFA-s, ajo e muajit gusht 2009, Qipro ndodhet në vendin e 73-të (445 pikë) në renditjen e përgjithshme dhe në të 37-in në atë të UEFA-s. Shqipëria ndodhet në vendin e 94-t në FIFA (347 pikë) dhe të 41-in në UEFA. Trajneri i skuadrës përfaqësuese është greku Angelos Anastasiadis, 55 vjeç. Ndodhet që nga viti 2004 në këtë detyrë, duke zëvendësuar serbin Momçilo Vukotiç. E njeh mirë skuadrën e tij dhe ka ndërtuar filozofinë e tij të lojës. Nëntë ekipe janë në karrierën e tij si trajner, midis tyre skuadrat e famshme greke Paok, Panathinaikso dhe Iraklis. Përfaqësuesja aktuale thuajse është e tëra me lojtarë nga kampionati vendas, me përjashtim të tre mesfushorëve: Konstantinos Makrides (Metalurg Dontesk, Ukrainë), Marios Nicolaou (Panionos, Greqi) dhe Xhejson Demetriou (Leyton Orient, Angli, kategoria e tretë ose League One). Në takimin e fundit zyrtar të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Qipro barazoi në shtëpi 2-2 me Malin e Zi. Në gjashtë ndeshje zyrtare ka grumbulluar 5 pikë: 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje (6 gola të shënuar, 9 të pësuar). Renditet në vendin e 4-t në Grupin 8, ku bëjnë pjesë edhe Italia (14 pikë), Irlanda e Veriut (13), Bullgaria (8), Mali i Zi (4) dhe Gjeorgja (3).
STATISTIKA
Takimi i 12 gushtit do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”. Në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro. Shqipëria ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 5 të tilla.
NDESHJET ME QIPRON
19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri 3-2
Trajner: Astrit Hafizi
15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro 0-0
Trajner: Medin Zhega
19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Trajner: Hans Peter Brigel
12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 19:00
Trajner: Josip Kuzhe
Bilanci: 3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 3-5
11 Gusht 2009