E Diel, 1 Nëntor 2026

Heshtje dhe pikëllim në shtëpinë e policit Altin Dizdari

Babai i Altinit: “Nuk mund të flas në këto momente për atë që mendoj dhe ndiej”. Altin Dizdari la jetime vajzën e vetme. Atmosfera në shtëpinë e policit të vrarë

Në katin e pestë të pallatit të vjetër parafabrikat, në një nga kthinat e pellgut të “Xhamllëkut”, jeton familja Dizdari, familja e policit të vrarë, Altinit, 32-vjeçarit që e pagoi me jetë të premten përpjekjen e tij dhe të tre kolegëve të tij për të vënë në pranga një nga njerëzit më të kërkuar nga Drejtësia shqiptare. Kur nisesh e shkon drejt pallatit modest parafabrikat e kupton menjëherë se në thelb jeta e përditshme e policit të ndjerë nuk kishte asgjë të përbashkët me ceremoninë madhështore që iu kushtua atij pas vdekjes. Jeta e policit Altin Dizdari është jetuar në një zonë të thjeshtë, në një pallat të thjeshtë, në një familje të thjeshtë. Pasi ke kaluar katin e katërt të pallatit, ku dy dyer janë të hapura për të përballuar numrin e madh të njerëzve që vijnë e japin ngushëllimet e tyre, një kat më lart që me shikim të parë përballesh me shtëpinë modeste të policit Altin Dizdari. Rrotull derës janë gjithnjë disa njerëz këto ditë, me siguri të afërm të të ndjerit, të cilët njoftuan menjëherë të atin e Altinit, Idriz Dizdarin, mbi interesimin e gazetës.
Pikëllimi
”Jam shumë i vrarë, i pamundur për të gjitha këto që më kërkoni ju. Kam shumë dëshirë të flas, të tregoj për Altinin, për jetën e tij. Nuk kam ndonjë problem të flas edhe për ngjarjen, por, ju lutem, jo sot. Pas disa ditësh ndoshta do të mundem që të flas Nuk mundem..., nuk mundem. Ju e shikoni si jam unë. Ju falënderoj për këtë që doni të bëni ju, por unë nuk kam mundësi mendore dhe shpirtërore”, - thotë Idriz Dizdari, i moshuari që po përjeton ditët më të zeza të jetës së tij.
Në shtëpinë e Altin Dizdarit, përveç bisedave të babait të tij me vizitorët që vijnë e ngushëllojnë, konstaton edhe biseda të shkëputura në korridorin e shtëpisë, apo pranë derës së saj, të të afërmve dhe miqve të tij. Bisedat vërtiten kryesisht rreth asaj që ndodhi në Durrës dhe sidomos mënyrës se si Altini ra viktimë në atë aksion. “Kishin disa vite që dy djemtë e shtëpisë, Altini dhe vëllai i tij, i kishin vënë punën dhe jetët e tyre në vijë. Janë rritur me peripeci dhe halle. Këto vitet e fundit nisën të stabilizoheshin. Ja çfarë është jeta, asgjë nuk është”, - thotë nën zë një i afërm i Altinit.
Dëshmori
Altin Idriz Dizdari, me gradën “Kryeinspektor”, është i datëlindjes 1977, i martuar, me një fëmijë, me arsim të mesëm. Ka marrë titullin punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1999, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga viti 1999 deri të premten ai ishte punonjës policie i nivelit zbatues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në strukturat e hetimit të krimit. Gjatë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale, Dizdari ka qenë aktiv në operacione të shpeshta me shkallë të lartë rreziku. Në këto vite pune ai ka qenë pjesë aktive në vendosjen e rendit dhe sigurisë publike. Kalimi i Altinit në ekipin special “GOS” në Ministrinë e Brendshme ishte një nga kulmet e karrierës së tij profesionale, sipas të afërmve të vet, ai u ndje i realizuar kur e emëruan në këtë ekip pak vite më parë.
H. Hasani

Masakra e Durrësit, me vuajtjes për humbjen dhe shpresës për drejtësi

Humbja e katër policëve të vrarë përtej pikëllimit të familjarëve të tyre i ka detyruar këta të fundit që të mbajnë “një sy hapur” duke parë nga instancat e larta shtetërore dhe ato të Drejtësisë që ato minimalisht të mbajnë premtimet dhe të ofrojnë një hetim dinjitoz për këtë ngjarje të rëndë ku katër policë e paguan me jetë. Nga krerët më të lartë të shtetit premtimet për drejtësi dhe zbardhje të ngjarjes nuk kanë reshtur. Kryeministri Berisha, pas nderimit të trupave të pajetë të katër dëshmorëve të atdheut, deklaroi se krimi do të marrë përgjigjen e merituar dhe ndëshkimin më të madh nga organet e Drejtësisë. “Ky krim i shëmtuar i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e Drejtësisë, kam bindjen më të thellë se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit për t’u dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe”, - është shprehur Berisha, ndërsa ngushëlloi familjet e policëve të rënë në krye të detyrës. Nga ana e tij Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, u shpreh për mediat se institucionet e specializuara duhet të bëjnë sa më parë zbardhjen e plotë të tragjedisë ku humbën jetën katër punonjësit e Policisë së Shtetit. “Do të nxisja me shumë forcë të gjitha institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë që duhet të vijë nga çdo institucion për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”, - është shprehur Topi, i cili shtoi se krimi i organizuar është bërë edhe më i sofistikuar. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e të rënëve dhe solidaritetin me forcat e rendit. Të gjitha këto qëndrime të krerëve të shtetit duket se janë më shumë se kurrë në vëmendjen e familjarëve të policëve të rënë, që mes pikëllimit dhe dhimbjes ndajnë dhe dyshimet dhe pikëpyetjet për atë “diçkanë” që nuk shkoi siç duhej mesditën e së premtes në Durrës.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›