Agolli: “Ndaj Danimarkes, të përsërisim Suedinë e Portugalinë”
Mesfushori i Krivbasit dhe Kombëtares, Ansi Agolli, ishte protagonist në dy ndeshjet e fundit miqësore të kuqezinjve, duke shënuar nga një gol si kundër Gjeorgjisë (1-1) ashtu dhe një perle në fitoren më të thellë të Shqipërisë, ajo ndaj Qipros (6-1). Agolli beson se ndaj Danimarkës mund të përsërisim ndeshjet pozitive me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga).
Agolli, kundër Danimarkës në Kopenhagen kemi luajtur ndeshjen më të dobët në këto tetë ndeshje. U pa qartë një diferencë e madhe midis dy ekipeve. A mund të ndodh kjo dhe në ndeshjen e të mërkurës së ardhshme?
Tri ndeshjet e fundit (kundër Portugalisë, Gjeorgjisë e Qipros) kemi zhvilluar lojëra shumë të mira. Danimarka është e parë në grupin tonë dhe do të vijë në Tiranë me synimin për të marrë trepikëshin. Normalisht, janë ata që ndihen nën presion. Nëse do të luajmë si në tri ndeshjet e fundit, mendoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv.
Kur luan më mirë Shqipëria, kur luan një futboll sulmues apo mbrojtës?
Besoj nëse dalim në lojën tonë, siç e kemi treguar me Suedinë apo Portugalinë, ndaj të cilëve kemi marrë rezultate pozitive, mendoj se i hap punë çdo ekipi.
Agolli më mirë në mbrojtje apo mesfushë?
Këtë e vendos trajneri. Për mua është njëlloj.
Ndryshimi është se golin po e gjen më lehtë në rolin e një mesfushori.
Golin më shpesh e kam gjetur kur kam qenë mbrojtës.
Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, deklaronte se shqiptarëve ua kemi marrë dorën. A ke ndonjë kundërpërgjigje?
Mendoj se në Tiranë, jo vetëm Danimarka, por çdo lloj ekipi e ka pasur të vështirë. Nëse do të bëjmë lojën tonë, të mbështetur edhe nga publiku ynë, edhe Morten Olseni nuk do ta ketë të lehtë.
Kemi humbur me Danimarkën (3-0), ndërkohë që kemi barazuar me Suedinë (0-0) në Tiranë. A mund ta përsërisim Suedinë dhe me Danimarkën?
Të dyja kanë një futboll të përbashkët, skandinav, shumë taktik, plus fizik. Janë të ngjashëm si futboll. Kanë diferenca të pakta. Mund ta përsërisim atë barazim kundër Suedisë.
Ku ndryshon Agolli i Krivbasit (në Ukrainë) me atë të Tiranës (sezonin e kaluar në Shqipëri)?
Nuk besoj se ndryshon shumë. Ekipi ku luaj është më profesionist. Në Ukrainë kampionati është një futboll më cilësor.
Ende nuk po aktivizoheni si titullar, kur te Tirana ishit i padiskutueshëm?
Është fillimi dhe me duhet kohë të ambientohem. Dihet kjo kur ndërron skuadër.
Te Tirana ke luajtur për një kohë të gjatë me Hidin e Bulkun, teksa tani sërish luanin për të njëjtin ekip në Ukrainë.
Kjo është dhe një nga arsyet që unë kërkova të luaja me Krivbasin. Njihemi qysh fëmijë. Bashkë edhe me Bylykbashin për mua është shumë e thjeshtë. Ndihem mirë te Krivbasi.
Hyka: “Danimarkës, humbjen e parë”
Mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka, beson se Shqipëria do ta vendosë në vështirësi Danimarkën, edhe pse kjo e fundit vjen në Tiranë pa asnjë humbje në 6 ndeshjet e zhvilluar, duke koleksionuar 16 pikë. “Pas ndeshjes me Qipron jemi me moral të lartë. Ndaj Danimarkës do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, për t’i vënë në vështirësi pasi dihet forca e tyre. Janë në vend të parë në grupin tonë. Besoj se do të bëjmë diçka pozitive në lojë. Edhe mund të ndodhë që t’ia shkaktojmë ne humbjen e parë. Në futboll çdo gjë është e mundur. Pse jo, të mos fitojmë”.
3 Shtator 2009