E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, adoleshenti vret me makinë motrën

 

DURRES - Një tragjedi rrëqethëse familjare ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë në lagjen “Stallë” të katundit Sukth. Një 16-vjeçar me inicialet A. Pepkola ka shtypur për vdekje me kamionçinë motrën e tij të vogël, 7-vjeçare me inicialet E. Pepkola. Tragjedia ndodhi në pak sekonda, kur vëllai i madh po kryente manovrën me marshin indietro të kamionit me targë TR 7161 C. Motra e vogël e drejtuesit të mjetit përfundoi tragjikisht nën rrota, duke gjetur vdekjen e shpejtë. Ngjarja ndodhi pranë shtëpisë me kryefamiljar shtetasin K. Pepkola. Nuk dihen akoma rrethanat sesi 16-vjeçari pa patentë ngiste kamionin, por sidoqoftë në familjen Pepkola ka ndodhur një tragjedi e dyfishtë. Policia bën me dije se shtetasi A. Pepkola për arsye të moshës ndiqet në gjendje të lirë, duke e lënë atë nën kujdesin e babait të tij K. Pepkola. Burime policore të qytetit bregdetar pohojnë se materialet në ngarkim të adoleshentit do t’i kalojnë prokurorisë së këtij rrethi nën akuzat “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i mjetit pa dëshmi aftësie”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›