Agolli: PS-ja të përpiqet Agolli: PS-ja të përpiqet
“Partia Socialiste lufton që të plotësohen kërkesat e Bashkimit Europian dhe të luajë një rol më të madh akoma për zbutjen e atmosferës acaruese”
Në përvjetorin e 80-të të lindjes së tij, shkrimtari Dritëro Agolli ka kritikuar miqësisht Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj. Pavarësisht se kreu socialist u kujdes dje për t’i rezervuar Agollit një pritje dinjitoze pikërisht për ditëlindjen e tij, ky i fundit nuk e ka kursyer atë teksa ka shprehur pakënaqësi dhe kritika për mënyrën sesi klasa politike shqiptare, përfshi edhe PS-në, po sillet karshi problemeve që ka vendi. Ndaj ai u ka kërkuar socialistëve që ta shohin politikën më me pozitivitet, për të synuar gjithmonë zgjidhjen e situatave, pasi një gjë e tillë do t’i shërbente vendit. “PS-ja të përpiqet që ky ngërç që ka ndodhur të ndihmojë për ta shkallmuar dhe të përpiqet shumë për këtë perspektivë, ku do të shkojë vendi ynë me këtë lloj politike të përgjithshme tepër të acaruar. Domethënë, njerëzit që bëjnë pjesë në këto parti, po edhe vetë populli, të kërkojnë rrugën sesi mund të zgjidhet kjo punë. Partia Socialiste lufton për këtë gjë që të plotësohen ato kërkesat e Bashkimit Europian dhe të luajnë një rol më të madh akoma për zbutjen e atmosferës acaruese”, - tha Agolli në mesazhin e vet drejtuar drejtuesve socialistë. Agolli, duke vijuar vlerësimin e tij për situatën politike dhe rolin që luan në të PS, ka lënë të kuptohet qartë se në çdo rast ashtu edhe vetë PS duhet të rishohë qëndrimet e veta për të reflektuar për ato gjëra që nuk janë bërë mirë. “Njeriu në vetvete ka shumë pikëpyetje. Edhe vetë unë që në mëngjes dhe deri sa fle i kundërshtoj vetvetes në shumë momente. Ndonjëherë nuk i kundërshtoj. Ndonjëherë tjetër jam i lëkundur, megjithatë përpiqem, më del në ëndërr që mund të bëhet një e mirë për Shqipërinë”, - tha më tej Agolli, ndërsa ka theksuar se partitë politike shqiptare nuk duhet ta shohin njëra-tjetrën si armike. Në këtë aspekt ai ka vlerësuar se forcat politike duhet ta konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare dhe jo si armike. “Të mos bëhen dy Shqipëri, pasi një Shqipëri ka. Të mos e ndiejmë veten si të pushtuar nga të tjerët, nga të huajt. Ne e kemi çliruar Shqipërinë dhe armiqësi kishim vetëm me pushtuesit, kurse me shumë të tjerë që nuk pajtoheshin me ne i kishim kundërshtarë. E kam fjalën që të mos mbetemi armiq, por të mbetemi kundërshtarë politikë, por në anët e tjera të sjelljes të dhënies së dorës, të folurit, të dialogut, që t’i themi njëri-tjetrit hajt ta diskutojmë këtë apo atë gjë, por jo kaq të acaruar, me inat të madh. Ne duhet që edhe kundërshtarin tjetër ta zbusim, t’i themi që hajde të diskutojmë, disa gjëra duhet t’ia aprovojmë edhe kundërshtarit me një kompromis të logjikshëm, në mënyrë që ta kuptojë edhe ai vetë që kjo forcë politike ka të drejtë”, - tha më tej Agolli. Ndërkohë që mesazhi i tij është mirëpritur edhe nga figura të tjera të socialistëve. Njëri prej tyre ka qenë kreu i grupit parlamentar, Ruçi, i cili i ka konsideruar këshillat e Agollit si pika referimi për qëndrimet e PS-së. “Absolutisht kjo ka qenë dhe mbetet një këshillë e urtë, e mençur dhe Partia Socialiste me hapat e fundit që ka marrë, me pjesëmarrjen e saj në Parlamentin Shqiptar, me propozimet institucionale që ajo ka bërë dhe me paketën prej 10 pikash dhe me kërkesën që ka bërë lidershipi i PS-së për një debat institucional midis liderve para publikut shqiptar, është pikërisht në kuadrin e kësaj këshille të urtë dhe të mençur që jep Dritëroi”, - tha Ruçi.