E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: PS-në s’e shoh aq të fuqishme, partia e re nga e majta, një shaka

“PS-në në Kuvend doja ta shikoja më të fuqishme, më aktive, më rezultative, më me vizion. Ato janë shaka për mendimin tim, sepse mund të krijosh edhe 20 parti dhe s’ke krijuar gjë. Partitë krijohen me një hapësirë sociale dhe mbi bazën e disa ideve të reja. Ndërsa unë nuk shoh as ide të reja dhe as hapësira sociale bosh.

Ish-kryetari i Kuvendit dhe një nga figurat e njohura të socialistëve, Servet Pëllumbi, nuk sheh vend për lindjen e një partie të re të dalë nga Partia Socialiste. I pranishëm dje në pritjen e organizuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, me rastin e përvjetorit të 80-të të lindjes së shkrimtarit dhe patriarkut të socialistëve, Dritëro Agolli, Pëllumbi iu përgjigj

interesit të gazetarëve për idenë e krijimit të një force të re politike nga një grup socialistësh. Ai ka theksuar se kjo është një shaka që bëhet, pasi nuk ekzistojnë as ide dhe as bazë sociale për të realizuar një gjë të tillë. Ndërkohë, ai nuk lë pa kritikuar as Partinë Socialiste për sjelljen e saj në Kuvend, ashtu si edhe shpreh nevojën për më pak armiqësi dhe më shumë mirëkuptim mes palëve.

Keni një urim për Dritëroin në këtë ditë?

Padyshim, është një ditë e gëzuar sot që Dritëroi mbush 80 vjeç dhe ne shokët e tij të vjetër kemi rastin ta urojmë edhe mbi 100 vjet, duke ruajtur mendjen e tij të freskët kështu si sot dhe të mund të vazhdojë krijimtarinë e tij të vyer, edhe ato merake që i kanë mbetur atij, siç thotë, të mund t’i realizojë,. Kjo është dëshira jonë më e madhe. Dhe së dyti, do të thosha që fjala e tij, me peshë për zhvillimet politike në vend, gjithnjë është dëgjuar dhe do të dëshiroja që edhe sot të dëgjohej, sepse ka nevojë më tepër se kurrë politika shqiptare që të mund të gjejë rrugën e dialogut, të mirëkuptimit, sepse nuk mund të ecet më me këto antagonizma dhe me këto hidh e prit ndaj njëri-tjetrit, sikur të mos kishte asgjë të përbashkët midis tyre, sikur të mos ishin shqiptarë dhe sikur të mos kishin një komb të përbashkët, të cilin duhet ta begatojnë dhe ta çojnë përpara.

Ju mendoni njësoj si zoti Agolli, që duhet kaluar ngërçi dhe palët s’duhet ta shohin njëri-tjetrin si armiq?

Pikërisht, nuk duhet ta shohin si armiq dhe nuk kanë pse ta shohin si armiq, sepse në fund të fundit kanë një atdhe të përbashkët, interesa të përbashkëta, kanë një të ardhme të përbashkët, por atdhe për fëmijët e tyre dhe për këtë duhet të kujdesen posaçërisht. Ky është misioni i politikës dhe jo grindjet dhe sherret pa fund.

Si po e shikoni Partinë Socialiste me rikthimin në Parlament...?

Nuk e shoh me të gjitha ngjyrat që do të doja ta shihja.

Që do të thotë, si do të donit ta shihnit?

Shprehja që përdora unë i ka të gjitha kuptimet brenda. Doja ta shikoja më të fuqishme, më aktive, më rezultative, më me vizion.

Po idenë për krijimin e një partie të re, siç po thuhet, si e gjykoni?

Ato janë shaka, për mendimin tim, sepse mund të krijosh edhe 20 parti dhe s’ke krijuar gjë. Partitë krijohen me një hapësirë sociale dhe mbi bazën e disa ideve të reja. Ndërsa unë nuk shoh as ide të reja dhe as hapësira sociale bosh.

PS-ja ka bërë një draft që ia ka propozuar PD-së, si e shikoni këtë draft?

Ky draft është thjesht hapja e rrugës për dialog. Unë këtë draft kështu e shoh. Nuk e shoh që janë 5 pika, 7 pika apo 10 pika. Unë e shoh si një propozim për dialog. Dhe kur ka propozim për dialog, pala tjetër duhet të ulet të diskutojë. Mund të shtojë të tjera, mund të heqë disa prej tyre dhe të gjejnë bashkërisht që të dyja palët të fitojnë, kjo është demokracia, ky është dialogu, i cili na mungon në mënyrë tepër, ndër vite.

Sa të rëndë e gjykoni faktin se nuk e morëm sërish statutin për vendin kandidat në BE?

Unë e quaj shumë të rëndë. Herën e parë, hajt se mund të diskutohet. Po kur vjen herën e dytë, kur i njeh të gjitha prioritet që duhet të plotësosh dhe nuk i plotëson, atëherë ka dy gjëra, ose nuk e do integrimin, ose nuk je i aftë të plotësosh prioritetet që duhen për ta integruar Shqipërinë në Europë. Në të dy rastet klasa politike ngel në klasë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›