Topi kthen ligjin e mbetjeve, kundër nenit që lejon importin
Topi për Kuvendin: Nuk mund të jetë absolutisht e denjë për Parlamentin, që të angazhohet vetëm me sharje reciproke dhe batuta dhe të mos angazhohet pikërisht në atë që kërkohet
TIRANË Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” do të kthehet për rishqyrtim në Kuvend. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk dekretoi përmbajtjen e ligjit në fjalë, me argumentin se një prej neneve të saj, ajo që lidhet me importin e mbetjeve në Shqipëri, është jashtë qëllimit të ligjit. Për pasojë, ligji i miratuar vetëm me shumicën e votave të mazhorancës do të kthehet sërish për shqyrtim. Duke u nisur nga qëllimi kryesor i ligjit, që është marrja e masave të nevojshme dhe të domosdoshme për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, Presidenti i Republikës e ka konsideruar nenin, që lejon importin e mbetjeve në Shqipëri, si në kundërshtim me vetë objektin e ligjit. Zbatimi i këtij neni, sipas kreut të shtetit, jo vetëm që nuk ndihmon në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton më shumë përdorimin e burimeve të mbetjeve. I pyetur nga media për këtë çështje, gjatë vizitës së zhvilluar dje në Fier, Presidenti i Republikës sqaroi se ligji ka nevojë që të shkojë në përputhje me ato parime që janë të vyera për çdo shqiptar. “Ligji është parë në këtë këndvështrim. Pastaj, duke pasur parasysh background-in tim akademik, mund t’ju them që është një fushë që unë e njoh shumë mirë. Ndoshta për elemente të tjera unë mund të kem nevojë për konsulencë, ndërsa për rastin konkret, përveç detyrimit për t’u konsultuar mirë në aspektin juridik për përputhshmërinë me parimet kushtetuese, për pjesën tjetër kam qenë i ndërgjegjshëm për ta kthyer, jo për të demonstruar se unë po kthej një ligj. Jo! Për t’i thënë Parlamentit dhe unë e kam motivuar këtë në mënyrë të qartë, që ta rimarr në konsideratë...”, - tha Topi. Edhe në faqen zyrtare të Presidencës, ku kreu i shtetit ka dhënë një shpjegim më të hollësishëm edhe nga ana juridike, Topi sqaron se kthimi i ligjit synon realizimin sa më mirë të objektit për të cilin është hartuar ky dokument ligjor. “Kthimi i këtij ligji për t’iu nënshtruar edhe njëherë shqyrtimit tuaj, synon realizimin sa më të mirë të qëllimit për të cilin është miratuar nga ana juaj, menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm”, - thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar dje në faqen e Presidencës.