E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agron Aliaj, përkeqësohet koreografi, do operohet në Tiranë

TIRANE-Shëndeti i koreografit të mirënjohur Agron Aliaj është përkeqësuar ndjeshëm dhe si pasojë ai do t'i nënshtrohet një operacioni në Tiranë. Ndërhyrja në fjalë do të kryhet nga një mjek grek i spitalit "Hygeuia". Pas mjekimit në Spitalin Ushtarak dhe trajtimit në QSUT, koreografi kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit do t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në një nga spitalet private të vendit. Në përgjigje të kërkesave të familjarëve që kërkojnë kurimin jashtë vendit të maestros, Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero tha dje para mediave se nuk është mirë që Aliaj të transportohet në një spital të huaj, pasi diçka e tillë mund t'i shkaktojë pasoja të rënda. Prej ditësh, familjarët kanë insistuar që shteti t'i ndihmojë për një kurim të specializuar në Europë, por Pipero deklaroi se për shkak se Aliaj po mbahet me frymëmarrje artificiale, specialistët këshillojnë mos lëvizjen e tij. "Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë është marrë në konsideratë kërkesa e familjarëve për ta dërguar jashtë, por mendimi i specialistit, doktor Mentor Petrelës është që ai të mos lëvizë sepse kudo që të dërgohet transporti dhe ndërhyrja që mund të bëhet mund të jetë shumë më pasoja sesa një mjekim konservator që po ndiqet. Po respektohen të gjitha protokollet më të mira shëndetësore, nga një staf i specializuar dhe do të bëjmë maksimumin. Ndërhyrja kirurgjikale mund t'i shkaktojë një paralizë të përgjithshme pasi ka dëmtuar shtyllën kurrizore dhe trurin", - u shpreh Pipero. Megjithëkëtë, familjarët e koreografit Aliaj nuk janë aspak dakord me 'procedurat' e ndjekura nga mjekët shqiptarë për përmirësimin e shëndetit të tij. "Operacioni është i vështirë dhe mjeku specialist tha vetëm diçka, si është e mundur që është lënë deri në këtë pikë. Kjo është arsyeja që na detyron të flasim", - thanë të afërmit. Koreografi 79-vjeçar Agron Aliaj u godit nga një makinë, ndërsa dilte nga provat e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Gjendja shëndetësore
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka njoftuar dje mediat se prej më shumë se 48 orësh koreografi i njohur ndodhet në ambientet e Pavijonit të Neurokirurgjisë ku ka marrë trajtimin e specializuar nga mjekët e pavijonit. Këta të fundit pohojnë se gjendja shëndetësore e Prof. Agron Alisë duhet thënë se është e rëndë, por e stabilizuar. Për profesorin, i cili pësoi një traumë të rëndë nga aksidenti në të cilin u përfshi, aktualisht kujdeset një ekip mjekësh nën drejtimin e Prof. Mentor Petrelës. Menjëherë pas aksidentit, koreografi i mirënjohur ka qenë i shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak dhe është ndjekur nga Dr. Fatos Olldashi. Pas trajtimit që ka marrë në këtë spital, Z. Aliaj është transferuar në reanimacionin e Neurokirurgjisë në QSUT ku edhe vazhdon të jetë. Në njoftimin e QSUT-së thuhet se kujdesi ndaj tij ka qenë maksimal si nga drejtoria e QSUT ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku kanë ndjekur me vëmendje shëndetin e Prof. Aliaj duke qenë në kontakt të vazhdueshëm më familjarët e tij. "Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka respektuar çdo mendim e sugjerim të mjekëve specialistë për trajtimin e mëtejshëm brenda apo jashtë vendit në mirëkuptim të plotë me familjarët", - njofton Qendra Spitalore Universitare. Më kërkesën e familjarëve, pacienti do të transferohet në Spitalin "Hygeia" për një ndërhyrje ndihmuese në kolonën vertebrale, ndërhyrje të cilën e ka marrë përsipër një profesor grek. "Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT-së, respekton vullnetin e familjarëve për ta trajtuar në një institucion privat dhe me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë me propozim të Ministrisë së Kulturës do t'i paraqesë qeverisë kërkesën për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin e mëtejshëm të profesorit", - përfundon njoftimi.
Letra e hapur
Tri ditë më parë Kompozitori Nestor Kraja, pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë i ka dërguar një letër të hapur tre anëtarëve të kabinetit qeveritar, ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi e për dijeni Kryeministrit të vendit z. Sali Berisha, në të cilën kërkoi që të ndihmojnë koreografin Agron Aliaj. Kërkesa e tij dhe e familjes së Aliajt është kurimi jashtë vendit i koreografit. Sipas Krajës Aliaj ka shtyllën kurrizore të dëmtuar, duart të paralizuara dhe brinjët të thyera, e veç kësaj atë ditë ai ka kaluar edhe një bllokim të frymëmarrjes një si shenjë e komplikacioneve. "Ky artist dhe personalitet me aktivitet dhe njohje të mbarë shoqërisë jo vetëm shqiptare, ka tashmë shumë ditë që pret të operohet për t'u shëruar. Agroni dhe ne të gjithë po presim burokracinë shqiptare t'i risjellë atij lëvizjen dhe jetën me të cilën u mor gjatë gjithë karrierës së tij", - shkruante Nestor Kraja. Kompozitori shkruante se tani në fund të jetës Aliaj pret atë mirënjohje jetike për punën dhe veprën titanike dhe të mrekullueshme që i dhuroi njerëzve dhe vendit të tij. Kësisoj, në emër të të gjithë artistëve shqiptarë dhe në emrin e tij personal, Kraja i kërkoi të gjitha organeve shtetërore të lëvizin dhe të bëjnë ç'është e mundur që koreografit të njohur Agron Aliaj t'i bëhen të gjitha shërbimet e nevojshme për ta çuar sa më parë në një spital të specializuar i cili do të marrë përsipër ta operojë e ta risjellë atë në gjendje normale.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›