E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria e kërcënuar

Në Shqipëri, sa vjen e më tepër po bëhet e qartë si drita që për të vjedhur dhe për të vrarë nuk mjafton as nata. Veçanërisht gjatë dy viteve dhe muajve të fundit, kronika e zezë është aq e fryrë, sa Policisë së Shtetit nuk i del as koha dhe as formati i buletineve të saj, për të informuar rreth ngjarjeve të shumta të kriminalitetit të përditësuar përherë e më tepër në përmasa tronditëse. I bie rruga ndokujt përpara bankomateve dhe fut në to karta të falsifikuara. Ndërsa, ndonjë tjetër e ka më të lehtë të turret në mjedise të brendshme të filialeve dhe me një armë zjarri, të vërtetë apo në dukje, mbledh gjithçka që gjenden në arkë, duke kërcënuar apo qoftë edhe plagosur punonjësit financiarë dhe ata të sigurisë. Uria për paratë e tjetërkujt shtyn madje edhe drejtues degësh të bankave që të kullufisin nga llogaritë e depozituara atje, për t’i përdorur kartëmonedhat në kazinora dhe pika bastesh sportive. Le më pastaj, kur dyert e shtëpive, deri edhe ato të ministrave, lehtësisht hapen me sende plastike të holla e të përkulshme, për të rrëmuar nëpër sirtarë dhe dollape familjare.
Së paku, vetëm nëpër komisariatet e Policisë së Tiranës denoncimet për grabitje ditën me diell dhe natën me hënë, kohët e fundit kapin një shifër mesatare prej 60 të tilla në çdo 24 orë. Pa regjistruar dhe folur këtu për dhjetëra e dhjetëra vjedhje të tjera “të vogla”, si lekë nëpër xhepa dhe celularë nëpër autobusë, çanta të kalimtareve nëpër rrugë dhe bizhuteri që ndrisin nëpër qafat e grave, rreth të cilave jo të gjithë qytetarët marrin mundimin të përshkojnë rrugën e një kalvari të gjatë kallëzimesh, sqarimesh, dëshmish, ballafaqimesh etj, etj. Aq më pak vendosin shtetasit e këtij vendi që t’i hedhin hapat drejt kangjellave të zeza që ruhen nga ca uniforma blu, kur ata janë të bindur që drita shërbekërka vetëm për të futur diçka dhe jo për të nxjerrë gjithçka.
Nuk po shkojmë më tej me zhvatjet e organizuara nga vet qeveritarët dhe nëpunësit e emëruar prej tyre, me ryshfetet dhe transformimet e pasurive të patundshme, private dhe publike, të gjithçkaje mbi këtë tokë dhe mbi atë nëntokë, që bëhen me dorë në zyrat e shtetit dhe me letra të shkruara në Qeveri dhe në Parlament. Jo, tani çka e zymtëson edhe më shumë atmosferën jo vetëm në dimrin e vrenjtur, por edhe në beharin me diell është stresi dhe halli për të hapur sytë dhe ruajtur kokën, për të luajtur këmbët dhe gjetur strehën. Aq më tepër ai që ka një “borxh” të vjetër. Dhe i papërjashtuar ai që “borxhin” ia ka vetes. Gjithashtu, mjerë ai që rastësisht gjendet në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Kohët e fundit, kalendari i vrasjeve mbush pothuajse çdo datë me të tria këto kategori qytetarësh, çka edhe krahas shumë shfaqjeve të tjera apo edhe bashkë me ‘to të shpien në përfundimin e pagabueshëm që jeta s’është e sigurt, që siguria është e kërcënuar. Renditja e fakteve konkrete që të shpien në këtë përfundim është e tepërt. Por, të gjitha ato, të shumta dhe së bashku, përbëjnë bubullimat që paralajmërojnë kohë të keqe. Dhe bubullimat nuk shihen, veç dëgjohen. Dëgjohen, aq sa mjafton për të të ndrydhur shpirtin dhe jetën të ta nxijnë. Sa për kronikat vezulluese me prozhektorët e hutimit dhe fjalët e mashtrimit, që emrin ua vënë ‘festë’, le t’ua lëmë t’i përshkruajnë ca gazetarë me dorë të shtrirë dhe pëllëmbë të hapur në xhepat e tyre ende të pa fryrë.
Përse ky fluks i madh krimesh nga njerëzit tanë në të gjithë territorin e vendit, edhe pa i hedhur sytë më tej, jashtë tij? Kësaj pyetjeje shumëkush i jep përgjigje, duke përmendur varfërinë. Të tjerë, duke ngritur zërin për degradimin alarmant të moralit shoqëror. Ca e ca e shohin shkakun e kësaj gjendjeje te shembujt negativë që japin qeveritarët dhe të zgjedhurit e tjerë, që në mënyrë konstante shpërdorojnë mandatet dhe shfrytëzojnë pushtetin që u është dhënë. Kur grabisin ata vet që notojnë në pasuri, çfarë duhet të bëjnë ata që vuajnë në uri?! – arsyetojnë ata ca e ca – të, të cilët nuk janë aq të paktë. Ashtu sikurse ata që fajin ia hedhin korrupsionit që ka mbërthyer gjykatat si një darë e fortë, prej së cilës nuk mund të çlirohesh. Por, ka edhe nga të tjerë që, duke dashur të vënë pikën njëherësh në shumë faktorë, pa u përpjekur të degdisen sa në një degë në tjetrën, fare shkurt i bien tamburasë: “Nuk ka shtet!”. Është kjo arsyeja...jo, jo. Për këto krime që po ndodhin masivisht dhe intensivisht, nuk mund të bëhet fjalë për arsye, për arsye njerëzore. Por, nëse kërkohet një farë shpjegimi, nëse qëndron vërtet kjo përgjigja e fundit, atëherë ndoshta do të qe më e udhës t’i drejtoheshe fillimisht kuptimit të sovranitetit të shtetit.
Nocioni i këtij sovraniteti, prej kohësh është formuluar parimisht si mospërballje e shtetit me asnjë institucion ose organizëm tjetër që të ketë epërsi ndaj tij. Dhe, në zbërthim të këtij kalku ka mbizotëruar teza e shtruar që nga mbarimi i Luftës II Botërore, sipas së cilës, shteti mund t’i nënshtrohet vetëm të drejtës së krijuar prej atij vetë. Pra, në të kundërt, përqendrimi i sovranitetit në duart e një personi, ose të një institucioni të vetëm përjashton idenë e ndarjes së pushteteve dhe praktikisht e katandis termin “shtet i së drejtës” në një klishe të kotë dhe të mërzitshme. Në këtë optikë, nuk mund të bëhet fjalë që pushteti të ndalë pushtetin, parim ky që edhe doktrina tradicionale e ka përdorur si kriter për cilësimin e një regjimi në liberal apo diktatorial. Fatkeqësisht, zërat e shtuar gjithnjë e më shumë brenda vendit tonë dhe jashtë tij flasin për një të vërtetë të frikshme: Natyra e regjimit që përjetojmë ndikon që krimi të përcjellë krimin, që dhuna të përçojë dhunën.
Ja çfarë ndodh. Mblidhet Komiteti Ndërministror për Integrimin dhe ministrja përkatëse kërkon që kufizimi i imunitetit të jetë kusht për marrjen e statusit të kandidimit zyrtar të vendit në Bashkimin Europian. Por, çdokush që merr pak erë nga ato çka thotë kjo vartëse vasale e kryeministrit e kupton se sa seriozisht e ka ajo luftën ndaj korrupsionit. Sepse, këtë kufizim e pengon, për shembull, vet Rregullorja e Kuvendit, për ndryshimin, për reformimin e mirëfilltë të së cilës ajo dhe kolegët e krahut të vet stepen dhe zvarriten nga muaji në muaj. Dhe, kjo tablo e trishtë zymtohet akoma më shumë, kur një person i vetëm dhe pushteti ekzekutiv i drejtuar apo i sunduar prej tij vë nën thundër jo vetëm pushtetin legjislativ, por edhe atë gjyqësor. Kjo të kujton atë që parashikonte dekada e dekada më parë Monteskjeja, i cili shkruante: “Nëse kjo kompetencë do të bashkohet me kompetencën legjislative, pushteti mbi jetën dhe lirinë e shtetasve do të ishte arbitrar sepse gjyqtari do të ishte ligjvënës; po të bashkohej me pushtetin ekzekutiv, gjyqtari mund të kishte forcën e një shtypësi”.
Gjithçka e tillë po shfaqet qartë, po t’i referohemi qoftë edhe vetëm disa proceseve të bujshme. Në çështjen e Gërdecit, askush nuk dënohet për vrasjen e 26 “banorëve” të një punishteje famëkeqe dhe plagosjen e gjymtimin e qindra të tjerëve sepse funksionarët e organeve të drejtësisë nuk mund apo nuk duan të rrezikojnë nga vetja për të ushtruar forcën e tyre të ligjshme, që të kërkojnë heqjen e imunitetit të një deputeti ish-ministri përgjegjës apo edhe të tjerë iniciues të kësaj gjëme, që shkaktarët e vërtetë të saj të ulen në bankën e të pandehurve. Tjetër. Hapet përpara Gjykatës së Lartë dosja e një drejtuesi të mazhorancës qeverisëse për tentativa përfitimi të paligjshëm dhe ushtrim presioni ndaj vartësit të tij, që videoja e regjistruar i shfaq paq e bukur të gjitha pamjet e korrupsionit tronditës. Por, trupi gjykues i konsideron të pavlefshme, për shembull, ekspertizat e bëra nga firma të njohura dhe të licencuara në ShBA dhe Britaninë e Madhe, paligjshmëria e të cilave nuk justifikohet me përmendjen e asnjë dispozite të legjislacionit tonë penal. Dhe, ky trup gjykues s’e ka për gjë të lëtyrë dhe të ç’ngjyrë togat e zeza, duke e nxjerrë pushtetarin të pafajshëm dhe akoma më të krekosur se sa më parë.
Ja edhe një shembull më tepër. Vriten dhe plagosen qytetarë shqiptarë mu në mes të Kryeqytetit të tyre në datën tragjike të 21 janarit 2011 dhe pas një viti ekspertimesh të pamohueshme gjykatat shqiptare nuk vendosin masën e sigurisë me burg, ashtu siç e parashikon në mënyrë kategorike Kodi i Procedurës Penale, ish-komandantin e Gardës së Republikës që ka pranuar se kish qëlluar i pari mbi turmën e protestuesve të pafajshëm, si edhe përgjegjësin e sektorit të teknologjisë së informacionit në Kryeministri që ka ndikuar dhe ka dijeni për zhdukjen e filmimeve të bëra nga kamerat e sigurisë së këtij institucioni qendror. Mund të përmenden një sërë e sërë vendimesh gjyqësore, që tregojnë qartë jo vetëm për kapjen e gjyqtarëve tanë nga pushteti politik i mazhorancës qeverisëse, por edhe për shpërfilljen që i bëjnë ata rëndësisë së sigurisë, që tek e drejta theksohet në mënyrë të veçantë, si një objektiv në të gjitha sistemet juridike, ndërsa në atë kontinentale si një lloj vlere supreme, një dogmë e padiskutueshme, një qëllim themelor.
Në këtë kuptim që merr siguria dhe në interes të mbrojtjes së saj, gjykatësve nuk u lejohet të bëjnë ligj me dëshirën dhe arsyetimet vetjake. Aq më pak u jepet atyre kjo mundësi në të drejtën e kodifikuar, ku është i përfshirë edhe shteti ynë, në të cilën legjislacioni sidomos në këtë drejtim hartohet i qartë, i plotë dhe koherent. Prandaj, interpretimi dhe zbatimi i ligjit vlerësohet që të aplikohet sa më automatik që të jetë e mundur. Përkundrazi, nevoja për përthyeshmëri, qoftë edhe në raste të veçanta vështrohet si një varg “problemesh”, që e ndërlikojnë dhe e ngadalësojnë përparimin drejt idealit të së drejtës së pakërcënuar nga ca gjyqtarë. Pra, jo më kot është thënë dhe stërthënë, se në traditën e së drejtës kontinentale, t’i japësh gjyqtarit kompetencën e disponimit, nuk ka dyshim që kërcënohet siguria e ligjit. Rrjedhimisht, nuk ka dyshim gjithashtu që kërcënohet edhe siguria më konkrete e qytetarëve tanë, siguria për jetën dhe gëzimin paqësisht të saj. Pra, nëse për reformën në drejtësi, si një objektiv në rrugën e integrimit, gjykatësit nuk kontrollohen me kujdes për sa i takon mënyrës se si ata e interpretojnë legjislacionin, atëherë e drejta dhe gjithçka tjetër do të bëhet edhe më e pasigurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›