Agron Duka: Rama smë kandidoi. Me Berishën do bisedoj vetë për akuzat si Duka e krimit
Krejt papritur Agron Duka, ish- ministër i Bujqësisë në kohën e socialistëve, ka përfunduar në kampin e djathtë, duke garuar për republikanët.
Duke folur për Panoramën, ai thotë se Rama nuk e mbajti premtimin për ta kandiduar si deputet në Durrës, por as në Berat.
I pyetur për kandidimin në siglën e PR, ai thotë: Unë me Fatmirin kam një miqësi të vjetër, që nga koha kur ishte Godo kryetar i PR-së. Edhe gjatë kohës që isha deputet kam pasur kontakte të mira dhe të vazhdueshme, pavarësisht se ishim në kampe të ndryshme. Bëra një takim me Fatmirin dhe i thashë që jam në një gjendje të tillë dhe dua të jem pjesë e lojës dhe nuk dua të largohem. Ai pa asnjë lloj kushti, qoftë edhe ideor, pranoi. Unë nuk jam shumë skrupuloz dhe kur kam qenë ministër e deputet, i kam pasur shokë të majtë edhe të djathtë. Nuk e vuajta pjesën ideore, pasi unë vij nga biznesi. Mediu ishte shumë i gatshëm që edhe unë të mos largohesha nga politika dhe të mos kisha një vdekje politike. U konsultova edhe me miqtë e mi, përfshi këtu edhe socialistë që më thanë: përderisa nuk ka rrugë tjetër, po bën shumë mirë.
Duka thotë se do takojë vetë Berishën për akuzat që i bënte ai si Duka e krimit.
Kurse sa i përket faktit që do të garojë kundër kunatit të tij, Lefter Koka, ai thotë: Në këtë botë jemi të gjithë të lirë dhe shyqyr që ia arritëm kësaj dite. Çdonjëri ka idetë dhe mendimet e tij. Secili është i lirë të kandidojë, të militojë dhe të ëndërrojë kudo qoftë. Në botën e zhvilluar ky fenomen ndodh edhe brenda familjes së vogël, jo më në dy familje të ndryshme. Mua kjo më duket e palogjikshme./ep